Maqedoni

AUV mbyll 15 biznese, asgjëson 696 kg ushqim të pasigurt pranë shkollave

16.11.2025 11:38

AUV ka lëshuar pesëmbëdhjetë ndalesa për operatorët e ushqimit në kuadër të 445 kontrolleve inspektuese...

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se gjatë dhjetë ditëve të fundit ka kryer 445 kontrolle tek operatorët e ushqimit, me theks të veçantë te ata që ndodhen pranë shkollave fillore dhe të mesme, prej ku nxënësit furnizohen me ushqime. Gjatë këtyre kontrolleve janë shqiptuar 15 ndalesa për ushtrim veprimtarie dhe sekuestrimin dhe asgjësimin e 696 kilogramëve ushqim të pasigurt nga furnizues të panjohur.  

“Me kontrollet e kryera është konstatuar se 19 operatorë kanë hedhur në qarkullim ushqim të pasigurt, te 30 janë vërejtur kushte të pakënaqshme higjieno-sanitare për sigurinë e ushqimit, ndërsa nga të gjithë të kontrolluarit, 26 nuk kanë qenë të regjistruar si operatorë të ushqimit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”. 
 
Sipas Agjencisë së ushqimit gjashtëmbëdhjetë operatorë nuk kanë pasur të zbatuara procedurat për Praktika të Mira Higjienike dhe Praktika të Mira të Prodhimit, ndërsa 32 nuk kanë kryer kontrollin e detyrueshëm shëndetësoro-sanitar për të punësuarit. Tre operatorë nuk kanë kryer dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin e detyrueshëm në objektet e tyre, ndërsa 7 nga objektet e kontrolluara nuk i kanë plotësuar kushtet teknike për ushtrim veprimtarie. Ushqim i shënuar në mënyrë të pasaktë është gjetur te shtatë operatorë ushqimorë. 
 
“Për parregullsitë e konstatuara janë shqiptuar edhe gjoba për 77 operatorë, në vlerë të përgjithshme prej 36.470 eurosh në kundërvlerë denari. Janë lëshuar 103 vendime me urdhër për eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe janë shqiptuar 23 vërejtje.”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
 
NAIM SINANI