Historike Kosova në play off-in e Botërorit 2026
16.11.2025 12:33
Kosova ka bërë histori në kualifikimet për Kupën e Botës 2026...

Kosova ka bërë histori në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke siguruar për herë të parë vendin e barazhit dhe duke u afruar shumë me mundësinë e kualifikimit. Kjo pasi “Dardanët” kanë triumfuar 2:0 ndaj Sllovenisë në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Ljubljanë. Në ndeshjen e fundit në grup, “Dardanët” luajnë ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri” më 18 nëntor. Kombëtarja e Kosovës tashmë e ka të siguruar pozitën e dytë në Grupin B, një arritje historike që e dërgon në ‘play-off’, teksa kundërshtarin e gjysmëfinales do ta mësojë më 20 nëntor, në shortin që mbahet në Cyrih.
“Edhe po të ëndërroja nuk do ta mendoja kështu. Jam shumë, shumë i lumtur. Besoj që ky gol na ndihmoi të hyjmë sa më mirë në lojë dhe ndihem jashtëzakonisht krenar. Edhe atmosfera ka qenë e mrekullueshme. Të gjithë shqiptarët në stadium na dhanë energji shtesë.”, u shpreh Fisnik Asllani, futbollist i Kosovës.
“I qëndruam shumë mirë planit tonë. E dinim që Sllovenia do të ushtronte presion lart dhe ishim të përgatitur. Lojtarët e zbatuan gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Kanë bërë presing për 90 minuta, kanë vrapuar dhe meritojnë çdo lëvdatë për këtë fitore. Të gjithë ishin fantastikë. Jam shumë i lumtur për ekipin dhe këtë fitore të rëndësishme. Tani duhet të rigjenerohemi dhe të fokusohemi te ndeshja e së martës ndaj Zvicrës. Pse jo, të synojmë një tjetër fitore. Aty është i gjithë fokusi ynë dhe pas asaj ndeshjeje, do të fillojmë të mendojmë për ndeshjet e marsit. Do të shohim se kush do të jenë kundërshtarët.”, u shpreh Franko Foda, përzgjedhës i Kosovës.
