Maqedoni
Petrovska: LSDM-së i duhet debat i sinqert për zgjehdjet
16.11.2025 13:22
LSDM nuk guxon ta injorojë dhe as ta harrojë humbjen historike në zgjedhjet lokale...

LSDM nuk guxon ta injorojë dhe as ta harrojë humbjen historike në zgjedhjet lokale, në të cilat siguroi vetëm 126 mijë vota dhe gjashtë komuna. Një vlerësim i këtillë vjen nga deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, e cila në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se LSDM prej kohësh bart probleme të grumbulluara, por mungesa e një debati të sinqertë të brendshëm për rezultatet e zgjedhjeve të kaluara ka ndikuar drejtpërdrejt në pozicionin e sotëm të partisë. Sa u përket debateve rreth mënyrës se si Venco Filipçe e udhëheq këtë parti, Petrovska theksoi se “mbijetesa e LSDM-së nuk varet nga një individ, por nga aftësia kolektive për t’u rikthyer në kursin fitues”.
“Nëse më pyetni se a duhet të vazhdohet me njëfarë praktike që nuk është gjithmonë praktikë në LSDM, që pas humbjes në zgjedhje kryetari të dorëhiqet, mendoj se duhet analizuar, jo për shkak të Venko Filipçes por për shkak të partisë. Në të kaluarën kemi shembuj kur kishte humbje në zgjedhje, por kryetarët e partisë nuk kanë dhënë dorëheqje dhe më pas kanë arritur rezultate të mira. Unë çështjen e mbijetesës, funksionimit të LSDM-së, nuk do ta lidhja vetëm me një personalitet, mendoj se është shumë e rëndësishme pas kësaj humbje në zgjedhje dhe pas të gjitha analizave, diskutimeve dhe debateve që do të bëhen, LSDM të dalë me ekipe të njerëzve që do të dinë ta kthejnë LSDM-në në rrugën e fitores.”, u shpreh deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
VMRO-DPMNE: LSDM nuk mund të reformohet me Filipçen në krye
Sipas Petrovskës në prag të Kongresit të dhjetorit, kryetari aktual Filipçe ka një detyrë të vështirë: të zhvillojë analiza dhe diskutime me deputetët, kryetarët e komunave, kandidatët dhe strukturat partiake, e më pas të paraqesë një platformë të qartë për të dalur nga kriza. Por VMRO-DPMNE thotë se me Venko Filipçen në krye, nuk mund të bëhen ndryshime dhe reforma në LSDM.
“Paralajmërimet e Venko Filipçes për ndryshime në parti deri tani filluan dhe përfunduan me shokun e tij partiak, Aleksandar Trajanovski. Vetëm shoku i tij partiak, Trajanovski, i cili hyri në zgjedhje duke e ditur që në fillim se ishte humbës, pranoi të bëhej nënkryetar i LSDM-së. Nga paralajmërimet e Filipçes për kuadro të reja dhe reforma, nuk doli asgjë dhe vështirë se do të ketë diçka, sepse duke ndjekur zhvillimet në parti, gjithçka sillet sipas asaj që dikton Zoran Zaevi. Për LSDM një gjë është e qartë: ndryshime dhe reforma në parti mund të ketë vetëm nëse Filipçe jep dorëheqje.”, theksojnë nga VMRO-DPMNE, sipas të cilës ndryshimi dhe reforma e vetme është dorëheqja e Filipçes dhe largimi i partisë nga diktati i Zoran Zaevit.
FLORIJE BELULI KAMBERI
