Maqedoni
LSDM: Pushteti po hesht për skandalet kardiokirurgjike
16.11.2025 13:45
LSDM vazhdon të akuzojë pushtetin për mosveprim dhe heshtje për operacionet e panevojshme në zemër...

Partia opozitare maqedonase LSDM, vazhdon të akuzojë pushtetin për mosveprim dhe heshtje lidhur me informacionet për operacionet e panevojshme në zemër të kryera në klinika private. Sipas tyre ende nuk janë paraqitur informacione të plota para qytetarëve, nuk është publikuar raporti, të përfshirët, kush janë mjekët dhe cilat janë klinikat private. Nuk mund të mbulohen skandale të tilla, pasi po flasim për njerëz që kanë përjetuar ferrin, e tani mësojnë se operacioni i tyre ka qenë i panevojshëm. Se dikush i ka parë si profit, si mjet për pasurimin e dikujt.
“Fshihet nga publiku se cili prej mjekëve ka dhënë indikacione për operacionet. Dhe ende nuk është dorëzuar asnjë kallëzim penal. Nuk mund të trajtohet kështu keqpërdorimi i profesionit shëndetësor për përfitim të individëve. Çfarë po pritet? Si të përpiqet dikush ta mbulojë këtë rast monstruoz. A po i jepet dikujt kohë për të fshehur gjurmët, për të “pastruar” dokumente? Sjellje e tillë është e papajtueshme me një shtet përgjegjës, transparent dhe serioz. Emocioni i skandalit është më i madh se shifrat, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish.”, u shpreh Renata Mlladenovska nga LSDM.
Nga kjo parti thonë se do të luftojnë për publikimin e së vërtetës së plotë dhe për përgjegjësi. Ata kërkuan publikim urgjent të raportit, në fazën në të cilën ndodhet, pa plotësime dhe pa fshehje, publikimin e të gjitha emrave të mjekëve që kanë dhënë indikacion për operacionet, publikimin e emrave të të gjitha klinikave private dhe subjekteve të përfshira në proces dhe në marrjen e vendimeve, dorëzimin e kallëzimeve penale pa asnjë vonesë, mbështetje psikologjike dhe juridike për pacientët dhe familjet që kanë kaluar nëpër këtë makth. Ky është një skandal i rëndë që duhet trajtuar me transparencë maksimale dhe përgjegjësi maksimale dhe çdo person që ka marrë pjesë në këtë zinxhir monstruoz duhet të përgjigjet, thonë nga LSDM.
FLORIJE BELULI KAMBERI
