Maqedoni
Festat e nëntorit, ITKSh me një sërë aktivitetesh për 22 Nëntorin
16.11.2025 15:00
ITKSh në Maqedoni edhe këtë vit ka parashikuar një sërë aktivitetesh për festat e nëntorit...

Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni edhe këtë vit ka parashikuar një sërë aktivitetesh për festat e nëntorit, përfshi shënimin e ditës së alfabetit shqip. Me këtë rast parashihen aktivitete të ndryshme në Shkup dhe Tiranë. Në bashkëpunim me përfaqësuesit e Muzeut të Gjuhës shqipe në Manastir ITKSh, ditën e 22 Nëntorit do të organizojë një tryezë të përbashkët për abetaren e gjuhës shqipe, ndërsa në mbrëmje do të mbahet akademi solemne.
“Duke marr parasysh që muaji nëntor është muaj i ngjeshëm me aktivitete ku do, për shkak të specifikës si muaj i tillë, pra për çdo vit ITKSh-ja organizon në shenjë kujtimi për ngjarjen e madhe historike, gjuhësore, kulturore ditët e alfabetit, manifestime të tilla mbajmë për çdo vit edhe këtë vit do të fillojmë më 14 nëntor duke vizituar panairin e librit në Tiranë, me një pjesë të punëtorëve shkencor. Pastaj do të vazhdojmë nga dita e hënë, do të kemi një akademi kushtuar historianit Shukri Rahimi në 100 vjetorin e lindjes së tij, me ç’rast do të bëhet pranimi i bibliotekës të këtij historiani të njohur shqiptar i cili nuk jeton më, familja ka vendosur që bibliotekën personale të tij t’ia dhuroi ITKSh-së.”, u shpreh drejtor i ITKSh-së, Besnik Emini.
ITKSh do të promovojë edhe kolanës prej 11 vëllime kushtuar Mitat Frashërit të botuara në vazhdimësi disa vite me radhë.
“Në ambientet e Institutit tonë kjo seri veprash do të promovohet ditën e martë. Vlen të theksohet se Mitat Frashëri ka qenë kryetar i Këshillit të Miratimit të Alfabetit shqipe në Manastir në vitin 1908, me ç’rast në këtë seri veprash dy vëllime i kushtohen pikërisht Kongresit të Alfabetit që është me rëndësi të theksohet se këto kujtime, këto letra, shkrime dhe libra, të gjitha janë përmbledhur në këtë seri dhe është vepra e plotë e Mitat Frashëri, e cila do të promovohet pikërisht në ditën e martë.”, tha Emini.
Emini vlerëson se kujtimi i datave kombëtare më rëndësi të madhe për kombin shqiptar përmes shënimit të aktiviteteve shkencore është e rëndësishme jo vetëm për ta mbajtur të freskët vëmendjen e gjeneratave të tanishme, por edhe në këtë formë tregohet respekt ndaj kulturës sonë, trashëgimisë kulturore dhe ndaj veprimtarive që janë zhvilluar në të kaluarën.
REXHEP QAMILI
