Rajon

Leposaviq, KFOR-i dhe policia gjejnë 10 detonatorë

16.11.2025 15:15

Dhjetë detonatorë ndezës me kabllo janë gjetur në Leposaviq të veriut të Kosovës...

Dhjetë detonatorë ndezës me kabllo janë gjetur në Leposaviq të veriut të Kosovës. Ato janë gjetur nga njësitë e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në afërsi të lumit të fshatit Gnjezhdan. 
 
“Raportohet se njësi nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë sjellë në stacion policor dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) të cilët i kishin gjetur në afërsi të fshatit afër lumit. Njësia e hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu është kontaktuar prokurori i shtetit i cili udhëzon që të iniciohet rasti si me lartë. Rasti është nën hetime nga njësitet kompetente.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. 
 
Sveçla: Serbia po planifikon sulme terroriste
 
Ka reaguar Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Kosovë.
 
“Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq. Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e institucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve.”, ka shkruar Sveçla. 
 
Megjithëkëtë ai ka thënë se Kosova është e vendosur në luftën përballë bandave kriminale të cilave do t’iu përgjigjen ashtu siç e meritojnë.
 
NAIM SINANI