Botë
Qytetarë në Francë, ShBA, Brazil dhe Gjermani, protesta globale kundër krimit dhe për klimën
16.11.2025 16:36
Përveç Meksikës, protesta të mëdha kundër grupeve mafioze kanë shpërthyer edhe në Francë...

Përveç Meksikës, protesta të mëdha kundër grupeve mafioze kanë shpërthyer edhe në Francë, në Ajakio më saktësisht në ishullin e Korsikës dhe në Bastia. Qindra qytetarë marshuan në rrugë duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrime si “Vrasës, mafiozë, dilni jashtë këtij vendi!”. Demonstruesit kërkuan ndalimin e dhunës mafioze dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe të rinjve nga kërcënimet kriminale që ndikojnë edhe në ekonominë e vendit.
“Vrasje për çdo gjë banale: kjo është një klimë e papranueshme që e përjetojmë në Korsikë për dekada, dhe duam që të ndalet. Nuk është e lehtë, por në një moment duhen marrë masa, dhe vetëm nëse populli thotë me të vërtetë që mjaft më, autoritetet ndoshta do të reagojnë.”, u shpreh pensionistja Helene Luciani.
“Shumica vuajnë nga realiteti i abuzimeve mafioze. Ata duhet të flasin, të mobilizohen dhe të sigurojnë që frika të ndryshojë kamp.”, u shpreh Andre Leca, pronar restoranti.
“Jemi të kufizuar në gjithçka që duam të bëjmë, dhe kemi frikë edhe për të rinjtë tanë. Nëse nesër ata duan të fillojnë një biznes, e dimë që mund të ketë pengesa që u ndalojnë fëmijëve tanë të ecin përpara.”, u shpreh Sabrina Galletti, punonjëse në agjencinë rajonale të shëndetit.
Protesta ka patur edhe në SHBA. Dhjetëra protestues u mblodhën në Parkun Lafajet përpara Shtëpisë së Bardhë për të kundërshtuar atë që ata e quajnë përpjekje të administratës Trump për të nisur një luftë ndaj Venezuelës. Protesta u organizua si reagim ndaj përshkallëzimit të fundit ushtarak nga Pentagoni dhe administrata amerikane në Venezuelë, Karaibe dhe Amerikën Latine, duke përfshirë sulmet mbi individë në anije pranë bregut të Venezuelës dhe Kolumbisë, të cilët akuzohen si trafikantë droge.
“Pse po synohet Venezuela? Saktësisht. Ka tre arsye kryesore. Arsyeja e parë është nafta. Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë. Është në top 10 për gazin natyror. Ka gjithashtu ar, diamant, boksit dhe hekur, si dhe minerale të rralla. Ish-kreu i Komandës Jugore tha të gjitha këto burime I dëshiron për korporatat amerikane. Prandaj tani kemi gjithë këtë përqendrim të forcave atje për të kërcënuar Venezuelën. Arsyeja e dytë kryesore është se Venezuela sfidon rregullisht hegjemoninë e SHBA-së në politikën e jashtme.”, u shpreh Leonardo Flores nga rrjeti i solidaritetit me Venezuelën.
Protesta të mëdha ka patur edhe në Brazil dhe Gjermani, protestuesit kërkuan veprime më të forta për klimën. Qindra protestues indigjenë bllokuan hyrjen e COP30 në Belem, Brazil, kundër projekteve që kërcënojnë territoret e fisit Munduruku në basenet e lumenjve Tapajos dhe Xingu. Në Gjermani, mijëra njerëz marshuan në rreth 70 qytete, përfshirë Berlin dhe Hamburg, duke kërkuar nga liderët botërorë të vendosin klimën mbi fitimet e pakicës.
FARIJE DAUTI BAKIU
