Botë

“Drenica 1”, Lushtaku-12 vjet burg, Selimi–6 vjet burg

27.05.2015 15:45

U shpall sot vendimi i aktgjykimit në rastin “Drenica 1”...

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është dënuar me 12 vjet burg, ndërsa ish komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, është dënuar me 6 vjet burg.
 
Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Mitrovicë ka arsyetuar vendimin me të cilin ka gjetur fajtor Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimin.
 
Selimi është dënuar pasi që në gusht dhe shtator të vitit 1998 ka rrahur në disa raste dëshmitarin A. në Likovc.
 
Po ashtu, Sylejman Selimi në disa raste ka shkuar tek dëshmitari A. dhe e ka shkelur integritetin e tij, si dhe e ka kërcënuar me jetë.
 
Në këtë rast ai ka demonstruar karakteristika të torturës ndaj dëshmitarit A..
 
Ndërsa për Sami Lushtakun, trupi gjykues ka numëruar si fakt se Lushtaku me pistoletën e tij të markës TT ka shkrepur tri herë ndaj një personi.
 
Sipas trupit gjykues, faktet janë vërtetuar në bazë të dëshmive të dëshmitarit A. dhe B..
 
Periudha kohore prej 24 maj 2013 deri më 19 dhjetor 2014 do të iu llogaritet si vuajtje e dënimit.
 
Për harxhimet e gjykatës Sami Lushtaku është dënuar me 1000 euro, ndërsa Sylejman Selimi me 1200 euro.
 
Ndërkohë, Sabit Geci është liruar nga akuza për krime lufte ndaj popullatës civile. Në mesin e të liruarve të tjerë në rastin “Drenica 1”  janë: Sahit Jashari, Avni Zabeli, Hysni Thaçi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku, që ngarkoheshin për krime lufte në periudhën nga pranvera e vitit 1998 deri në muajt e parë të 1999. 
 
“Drenica 2”, dënime për të gjithë të akuzuarit
 
E ndërkohë janë dhënë vendimet edhe për rastin “Drenica 2”. Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dhënë verdiktin për grupin “Drenica 2″, duke e dënuar Sylejman Selimin me 8 vjet burgim. 
 
Selimi, gjatë ditës është dënuar edhe me 6 vite burgim nga rasti “Drenica 1″, që në total i bie 14 vite burgim.
 
Në këtë grup janë dënuar edhe Jahir Demaku me 7 vjet burgim, Zeqir Demaku me 7 vjet burgim, Isni Thaçi me 7 vjet, Agim Demaj me 3 vjet, si dhe Fadil e Nexhat Demaku me nga 3 vjet burgim.
 
Ndërkaq, Bashkim, Driton dhe Selman Demaj po ashtu u dënuan me nga 3 vjet burgim.
 
REXHEP QAMILI