Rajon

Shqipëria çeli të gjithë grup-kapitujt

17.11.2025 13:53

Shqipëria çeli sot të 6 grup-kapitujt me Bashkimin Evropian, duke e shndërruar ditën e sotme në një festë në Bruksel....

Shqipëria çeli sot të 6 grup-kapitujt me Bashkimin Evropian, duke e shndërruar ditën e sotme në një festë në Bruksel. Kryeministri Edi Rama, progresin ia dedikoi edhe Brukselit, ndërsa bëri një retrospektivë të gjithë udhëtimit për në familjen evropiane, ku Shqipëria synon të anëtarësohet deri në vitin 2030.
 
“Kush do ta mendonte që do të ishim këtu sot, duke çelur të gjithë grup-kapitujt. Vetëm pak kohë më parë ishte diçka që dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe ato grushtet në stomak, por unë besoj se i gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, përfaqësojmë këtu një komb të tërë.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Arritjen e deritanishme, komisionarja për Zgjerim Marta Kos, e vlerësoi si gur kilometrik e madje duke e cilësuar Shqipërinë si një shembull për rajonin.
 
“Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit. Kjo tregon që kur jepni rezultate ecni përpara. Ju jeni frymëzim për shumë vende në Ballkanin Perëndimor. Çelja e të gjithë grup-kapitujve është një sukses i jashtëzakonshëm, por mbyllja e tyre është çmimi real. Në fakt, suksesi juaj do të përcaktohet sesa mirë, sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin evropian.”, - deklaroi komisionarja për Zgjerim – BE, Marta Kos.
 
Ndërsa ministrja e Jashtme e Danimarkës, vend që mban presidencën e BE-së tha se Shqipëria është shumë pranë anëtarësimit në BE.
 
“Angazhimi ndaj reformave, dëshmuar nga qeveria shqiptare dhe populli i saj, është vërtetë mbresëlënës. Në qoftë se vazhdoni në këtë drejtim me të njëjtin fokus, ritëm dhe cilësi, anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme shumë të afërt.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Mari Bjere.
 
Festa në Bruksel kishte nisur që një ditë më parë, me mbrëmjen ceremoniale të çeljes së dyerve të godinës së Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian.
 
LULJETA NDOKA