Gjoba për hedhjen e mbeturinave pas orës 22:00, qytetarët me qëndrime të ndara për vendimin

17.11.2025 14:10

Ka hyrë në fuqi vendimi që ndalon hedhjen e mbeturinave në Shkup...

Ka hyrë në fuqi vendimi që ndalon hedhjen e mbeturinave në Shkup nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Inspektorët e qytetit do të patrullojnë në terren edhe pas mesnate për t’i kapur në vepër të gjithë ata që shkelin këtë ndalesë.

Gjoba për qytetarët është 50 euro, ndërsa për personat juridikë nga 1.300 deri në 1.800 euro, e mund të jetë edhe më e lartë, varësisht nga lloji i mbeturinave.

Qytetarët e mirëpresin vendimin për ndalesën e mbeturinave në orët e vonë të mbrëmjes.

“Vendimi është shumë i mirë, sepse njerëzit kur kanë mundur kanë hedhur mbeturina dhe nuk është vetëm t’i hedhin pa kulturë. Shumë mirë, në qoftë se edhe unë e bëj, le të më dënojnë.”, - tha një qytetar.

“Mirë është, por edhe natën duhet t’i gjuajmë se pastaj mbeturinat duhet natën t’i ruajmë brenda, aty është puna edhe negative edhe pozitive.”, - tha një qytetar tjetër.

“Nuk është vendim i mirë, por s’kemi ç’të bëjmë.”, - u shpreh një qytetar.

“Mirë është që ta kuptojnë të gjithë njerëzit dhe ta zbatojnë atë urdhër.”, - u shpreh një qytetar tjetër.

Të gjithë inspektorët e qytetit dhe rojet komunale do të përfshihen në kontrolle, të cilët fillimisht do të lëshojnë vërejtje, ndërsa më pas do të shqiptojnë gjoba për hedhjen e mbeturinave.

Nga NP “Higjiena Komunale” thonë se masa është kryesisht e orientuar ndaj subjekteve juridike, të cilat – siç theksojnë – më shpesh i deponojnë mbeturinat në mënyrë të parregullt dhe në orët e vonshme. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)