Përkrahje për Ukrainën, Kievi do të blejë avionë ushtarakë francezë
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski...

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe homologu i tij francez, Emanuel Makron, nënshkruan në Paris një marrëveshje për blerjen e 100 avionëve luftarakë nga ana e Kievit zyrtar, duke i hapur rrugën furnizimit të parë të avionëve francezë Forcave Ajrore të Ukrainës.
Marrëveshja parasheh të realizohet për një periudhë prej rreth dhjetë vjetësh dhe përveç avionëve ushtarakë parasheh edhe sistemet anti-ajror, radarë të përparuar dhe mjete ajrore pa pilot.
Greqia zëvendëson gazin rus në Ukrainë
Presidenti ukrainas Zelenski, në turneun evropian ka nënshkruar marrëveshje edhe për importin e gazit natyror nga Greqia.
Greqia është bërë vendi i parë i Bashkimit Evropian që angazhohet drejtpërdrejt në objektivin e ShBA-së për të zëvendësuar plotësisht gazin rus me LNG amerikan, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të re energjetike me Ukrainën.
"Furnizimet me gaz do të fillojnë në janar dhe është e rëndësishme që marrëveshjet tona të zbatohen në tremujorin e parë. Ne kemi arritur marrëveshje dypalëshe dhe jemi shumë mirënjohës ndaj kompanive amerikane, Departamentit të Energjisë të ShBA-së dhe presidentit Tramp për faktin se do të jemi në gjendje të marrim gaz natyror, jo vetëm nga Greqia, por edhe përmes Greqisë.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Ukraina fiton akses të drejtpërdrejtë në burime të diversifikuara dhe të besueshme të energjisë, ndërsa Greqia bëhet një qendër për furnizimin e Evropës Qendrore dhe Lindore me gaz natyror të lëngshëm amerikan.”, - theksoi kryeministri i Greqisë, Kiriakos Mitsotakis.
Sanksione për vendet që bëjnë biznes me Rusinë
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Tramp ka thënë se republikanët po punojnë për një legjislacion që do të vendosë sanksione ndaj çdo vendi që bën biznes me Rusinë.
“Republikanët po sjellin disa ligje shumë të ashpra, ajo nënkupton sanksionim i çdo vendit që bashkëpunon me Rusinë.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ndërsa në front po vazhdojnë sulmet ajrore ruse në qytetet ukrainase. Viktima dhe të plagosur në Harkiv. Goditen gjithashtu objekte të infrastrukturës energjetike në Odesa. (Fitim Kryeziu, TVM2)
