Maqedoni
Qeveria hapi thirrjen për pajisje elektronike, vauçer prej 15.300 denarësh për 55 mijë studentë
17.11.2025 15:06
Nga sot është hapur thirrja për ndarjen e vauçerëve për studentët...

Nga sot është hapur thirrja për ndarjen e vauçerëve për studentët, të cilët do të mund t’i përdorin për blerjen e pajisjeve elektronike. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se thirrja është e hapur për rreth 55.000 studentë, ndërsa secili prej tyre do të marrë vauçer me vlerë prej 15.300 denarësh.
“I ftoj të gjithë studentët që të aplikojnë. Mendoj se janë rreth 55.000 në numër. Ajo që e kemi premtuar, tashmë po realizohet. Çdo student do të marrë 15.300 denarë për furnizim me pajisje elektronike. Nuk deshëm që, si shumë qeveri të tjera, ta bënim këtë para zgjedhjeve, për të mos u interpretuar si sjellje joetike nga ana e Qeverisë. Pritëm përfundimin e zgjedhjeve, marrjen e vendimit zyrtar nga KShZ-ja dhe më pas e publikuam këtë thirrje. Prandaj, i ftoj të gjithë studentët të paraqiten në këtë thirrje publike.”, - deklaroi kryetari i Qeverisë së RMV-së, Hristijan Mickoski.
Studentët mund të aplikojnë deri më 20 dhjetor 2025, ndërsa realizimi i vauçerëve, përkatësisht tërheqja e pajisjeve, do të mund të bëhet deri më 31 dhjetor 2025.
Sipas Ministrisë për Transformim Digjital, studentët që figurojnë në evidencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nuk kanë nevojë të ngarkojnë asnjë dokument gjatë aplikimit. Studentët kyçen në platformën uslugi.gov.mk dhe dorëzojnë aplikimin për shërbimin “Thirrje Publike për ndarjen e vauçerit me vlerë për studentët për blerjen e pajisjeve elektronike”. Pas aplikimit të suksesshëm, sistemi gjeneron një dokument, vauçerin me vlerë.
Me vauçerin e marrë, me dokumentin e identifikimit dhe nënshkrimin e deklaratës për përdorimin e vauçerit (në sallonin e shitjes së operatorit ekonomik), studenti mund ta tërheqë pajisjen elektronike nga operatori i zgjedhur më së voni deri më 31 dhjetor 2025. Ministria gjithashtu ka dhënë sqarime edhe për procedurën e aplikimit të studentëve, që nuk figurojnë në evidencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
ARMEND MURSELI
