Maqedoni

Zgjedhjet lokale, më 11 janar do të votohet në katër komuna

17.11.2025 15:19

Më 11 janar të vitit që vjen do të ripërsëriten zgjedhjet lokale në katër komuna...

Më 11 janar të vitit që vjen do të ripërsëriten zgjedhjet lokale në katër komunat: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe në Qendër Zhupë. Aktvendimi u nënshkrua nga kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, i cili në deklaratën e tij me shkrim është shprehur se vendimi pason në përputhje me ligjin.
 
“Nënshkrova aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë. Zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin përkatës. Me hyrjen në fuqi të këtij aktvendimi, institucionet përgjegjëse nisin zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore. I bëj thirrje KShZ-së, komisioneve komunale, si dhe organizatave mbikëqyrëse të veprojnë me përpikëri, transparencë dhe profesionalizëm.”, është shprehur kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Kryeparlamentari Gashi, me ftesë të dyfishtë ndaj subjekteve, por edhe qytetarëve të këtyre komunave. Gashi kërkoi nga të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në këtë proces, të zhvillojnë një proces të qetë, korrekt dhe demokratik, në respektim të standardeve zgjedhore dhe vlerave evropiane. Ndërkaq, votuesit i ftoi të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim.
 
Zgjedhjet në katër komunat e vendit vijnë si pasojë e daljes së ulët të qytetarëve në rrethin e parë të lokaleve për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18 %, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 %, ndërsa në Qendër Zhupë 21.49 %. Ndërkaq censusi i nevojshëm që lokalet të konsiderohen si të suksesshme është 33.33% apo një e treta e votuesve të regjistruar në komunë.
 
MERAL ISMAILI