Kulturë
ITShKSh, akademi përkujtimore për Shukri Rahimin, familja ia dhuroi institutit bibliotekën personale
17.11.2025 15:40
ITShKSh, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së prof. dr. Shukri Rahimit, organizoi një akademi përkujtimore...

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së prof. dr. Shukri Rahimit, historianit të parë shqiptar në Maqedoni, organizoi një akademi përkujtimore, ku figura e tij u vlerësua si një ndër personalitetet më emblematike të historisë dhe historiografisë kombëtare, duke lënë pas dhjetëra punime shkencore dhe vepra të rëndësishme që shquhen si bazë për studim.
“Ishte themelues i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, një ndër shoqatat më të hershme të regjistruara në tranzicionin politik. Në një kohë mjaft delikate arriti të shkruajë vepra që zhvendosën kufijtë e historiografisë shqiptare. Ai zhvilloi një polemikë mjaft dinjitoze me historianin serb Bogomil Hrabak dhe, kur e lexon këtë sot, të lë pa fjalë për guximin në një kohë mjaft të ndërlikuar.”, - deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini.
Rahimi ligjëroi në Shkollën Normale të Shkupit dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe më vonë u bë profesor ordinar në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, luajti rol të pazëvendësueshëm në formimin e shumë gjeneratave të historianëve shqiptarë, mes tyre edhe prof. dr. Nebi Dervishi, ish-studenti i tij, i cili në akademi prezantoi një ekspoze kushtuar jetës dhe veprës së tij.
“Është i madh numri i nxënësve të tij në Shkollën Normale “Liria”, i studentëve në Akademinë e Lartë në Shkup dhe i atyre në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, që nuk do ta harrojnë profesorin e historisë për epokat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.”, - theksoi historiani, ish-studenti i Shukri Rahimit, prof. dr. Nebi Dervishi.
Rahimi la pas një koleksion të madh librash, me mijëra vëllime që iu trashëguan Institutit, në mënyrë që studiuesit e rinj t’i përdorin për hulumtime dhe studim akademik.
“Në këtë ditë të shënuar dua të ndaj me ju edhe një amanet të çmuar: bibliotekën personale të prof. dr. Shukri Rahimit, të cilën familja do t’ia dhurojë ITShKSh-së. Këta libra janë frymëzim, histori, janë udhërrëfyes për studiuesit e ardhshëm në rrugën e tyre akademike dhe shkencore. Ju faleminderit që sot nderuat, jo vetëm kujtimin e tij, por edhe veprat, idealet dhe atdhedashurinë me të cilën ai punoi e jetoi.”, - u shpreh mbesa e Shukri Rahimit, Flutura Rahimi.
Prof. dr. Shukri Rahimi ka botuar dhjetëra punime shkencore, ndërsa prej veprave më të njohura janë: “Lufta e shqiptarëve për autonomi 1897–1912”, “Vilajeti i Kosovës më 1878–1912”, “Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare”, etj. Shukri Rahimi ishte gjithashtu deputet i legjislaturës së parë të Parlamentit të Maqedonisë (1990–1994). Në vitin 2003 u dekorua me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Kosovës. Vdiq në mars të vitit 2021, në moshën 96-vjeçare.
FARIJE DAUTI BAKIU
