Ekonomi
Kuvend, vazhdon debati për propozim-buxhetin 2026
17.11.2025 15:57
Vazhdoi debati për propozim-buxhetin për vitin 2026 në komisionin amë...

Vazhdoi debati për propozim-buxhetin për vitin 2026 në komisionin amë. LSDM-ja opozitare pyet zëvendësministrin e Financave nëse njëmend është paraparë zhvillim ekonomik, rritje e investimeve kapitale dhe mjete për reforma. Mitro Trajçullevski konsideron se ky buxhet nuk përkon me realitetin dhe sfidat, dhe njëherësh është vetëm buxhet që blen paqen sociale.
“Buxheti nacional është mjet ekonomik dhe financiar që definon qëllimet, prioritetet dhe politikat e një qeverie. Më e rëndësishmja është se nëse buxheti i planifikuar për vitin 2026 siguron jetë dinjitoze për qytetarët tanë, shëndetësi më të mirë, arsimim më të mirë dhe a siguron shpresë dhe perspektivë për njerëzit tanë të rinj të mbesin këtu në shtetin e vet. Me këtë buxhet, a mbahet llogari dhe a ndahen mjete për çështjet tona kryesore të jashtme, për reformat e nevojshme, respektivisht a do të respektohet shteti ynë më shumë dhe a është e vlerësuar jashtë?”, - deklaroi Mitro Trajçullevski nga LSDM.
Nga resori i financave me përgjigje se propozim-buxheti është analizuar mirë dhe mjetet janë siguruar, edhe për t’u shlyer borxhet edhe për pagesat me rritje në bazë të ligjit.
“Kjo qeveri, po, ka qasje të guximshme, reale dhe vizionare, pati edhe për krijimin e buxhetit 2025 edhe tani për vitin 2026… Jo vetëm se do t’i sigurojmë mjetet, por edhe do t’i rrisim të gjitha pagesat sipas rregullës ligjore ndaj të gjithë kategorive të qytetarëve dhe ndaj të gjitha ministrive të cilat i kanë marrë si obligim. Gjithsesi, edhe borxhin që na e latë si amanet për ta kthyer në vitin e ardhshëm, 2026. Po, ka pakënaqësi tek disa kategori shfrytëzues të buxhetit të cilëve u janë shkurtuar mjetet për shpenzime joproduktive ku, vite e vite më pare janë shpenzuar.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
Edhe deputetja Rina Hajdari nga AKI, me mendim se planet buxhetore nuk janë reale për stabilizim. Sipas saj, çmimet e produkteve bazë rriten, ndërkaq pagat rriten dukshëm më vonë. Deputetja në fjalë nuk beson edhe në uljen e inflacionit.
“Qeveria pretendon se inflacioni është stabilizuar në nivelin 3.9% në vitin 2025 dhe se do të ulet në 2.5% në vitin 2026. Por, këto shifra nuk e pasqyrojnë realitetin e qytetarëve. Çmimet e produkteve bazë ushqimore mbeten të larta, ndërsa pagat dhe pensionet i ndjekin këto rritje me vonesë të konsiderueshme. Inflacioni bazë pa ushqim dhe energji arrin 5.2%, gjë që tregon se presionet strukturore mbi çmimet mbeten të thella. Kjo qeveri po përdor statistika për të krijuar përshtypjen e një suksesi ekonomik, ndërsa qytetarët ndjejnë rritjen e varfërisë dhe mungesën e besimit në institucione.”, - u shpreh Rina Hajdari nga AKI.
Buxheti për vitin 2026 është planifikuar të peshojë 374.7 miliardë denarë të ardhura dhe 413.9 miliardë denarë shpenzime, rritja ekonomike të arrijë në 3.8%, inflacioni në 2.5%, ndërsa deficiti buxhetor në 3.5%.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
