Lindja e Mesme, OKB-ja mbështet planin e paqes së Trampit për Gazën

18.11.2025 11:37

Me 13 vota pro, Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi një rezolutë të hartuar nga ShBA-ja...

Me 13 vota pro, Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi një rezolutë të hartuar nga ShBA-ja, e cila mbështet planin e paqes së Donald Trampit për Gazën, dokumenti për të cilin presidenti amerikan tha se do të çonte në paqe të mëtejshme gjithë botën. Plani i paqes autorizon krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi, që do të bashkëpunojë me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me policinë palestineze, për të ndihmuar në sigurimin e zonave kufitare dhe çmilitarizimin e Rripit të Gazës. Në të njëjtën kohë, forcat izraelite do të tërhiqen rreth zonës së sigurisë. Misioni do të jetë një koalicion i udhëhequr nga vendet me shumicë myslimane dhe do të veprojë nën një komandë të unifikuar.
 
"Kjo rezolutë e ulë ndikimin e Hamasit dhe garanton se Gaza do të ngrihet nga hija e terrorit dhe do të jetë më e lirë dhe më e sigurt. Ne do të shfrytëzojmë mundësinë për t'i dhënë fund dekadave të gjakderdhjes dhe për ta bërë realitet paqen e qëndrueshme. Ne do të punojmë pa u lodhur me partnerët tanë për të çuar përpara këtë vizion të një Lindjeje të Mesme më të qëndrueshme dhe të begatë.", - deklaroi ambasadori i ShBA-së në OKB, Majk Ualc.
 
Rezoluta e përkrah themelimin e “Këshillit të Paqes” si një organ kalues me kompetenca të zgjeruara për veprim në Gazë. Pas rezolutës së miratuar nga OKB-ja, presidenti i ShBA-së, Tramp, theksoi se ky veprim i OKB-së, është gjeja më kryesore që kanë arritur ta bëjnë në historinë më të re. 
 
"OKB-ja ka miratuar themelimin e “Këshillit të Paqes” me të cilën do të kryesoj unë. Ai do të përbëhet nga udhëheqës të kombeve më të rëndësishme dhe më të respektuara në botë. Do të jetë diçka e rëndësishme. Një nga gjërat më të rëndësishme që OKB-ja ka bërë ndonjëherë.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Truamp.
 
Autoritetet palestineze e kanë përshëndetur miratimin e kësaj rezolute dhe janë të përgatitur të marrin rol aktiv në zbatimin e planit. Ndërkohë, Hamasi ka hedhur poshtë praninë e personelit ushtarak të huaj në Gazë, duke thënë se kjo do të ishte një zëvendësim për pushtimin izraelit nën kujdestarinë e huaj dhe nuk do të pranonin të dorëzojnë armët. 
 
"Rezoluta imponon një mekanizëm ndërkombëtar kujdestarie në Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet e tyre e refuzojnë. Caktimi i forcave ndërkombëtare me detyra dhe role, përfshirë çarmatosjen e rezistencës, e privon atë nga neutraliteti i saj dhe e shndërron atë në një palë në konflikt në favor të pushtimit.", thuhet në komunikatën e Hamasit. 
 
Përderisa Izraeli vazhdon me sulmet në dhe përreth Gazës, OKB-ja ka reaguar ndaj një incidenti në Libanin jugor, ku forcat izraelite hapën zjarr ndaj paqeruajtësve të UNIFIL-it gjatë një patrullimi të raportuar, me të shtënat që ranë rreth 5 metra larg tyre. Misioni vlerësoi se incidenti kërcënon stabilitetin në rajon.
 
"Çdo sulm ndaj paqeruajtësve është i papranueshëm. Ai rrezikon stabilitetin që Libani dhe Izraeli janë zotuar të rivendosin dhe i pengon paqeruajtësit të bëjnë punën e tyre për të rivendosur stabilitetin në Vijën Blu dhe në rajon.", - u shpreh zëvendëszëdhënësja e UNIFIL-it, Kandis Ardiel.
 
UNIFIL-i pretendon se Izraeli ka pushtuar një pjesë të territorit libanez që nga nëntori dhe ka ndërtuar një mur që kalon Vijën Blu dhe shkel sovranitetin libanez, ndërsa Izraeli e mohon këtë dhe pretendon se muri është në territorin e tij.


FITIM KRYEZIU