Përmbytje në Prishtinë, ndërpritet mësimi
Shiu i madh që filloi të bjerë mbrëmë ka detyruar kryeqytetin e Kosovës...

Shiu i madh që filloi të bjerë mbrëmë ka detyruar kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, që ta anulojë mësimin e ditës së martë. Drejtoria e Arsimit në Prishtinë njoftoi prindërit se mësimi është anuluar si masë parandaluese.
Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se vendi do të përballet me reshje shiu në dy ditët në vijim, të cilat në disa zona pritet të jenë të një intensiteti të lartë. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, në anën tjetër, u kërkoi qytetarëve të kenë kujdes gjatë qarkullimit dhe t’i shmangin zonat me rrezik vërshimesh.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale. Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.
