Maqedoni
Arsim, kërkohet reformë urgjente në arsimin e lartë
18.11.2025 15:35
Shumë të diplomuar, por pak të ditur....

Shumë të diplomuar, por pak të ditur. Tregut të punës i nevojiten kuadro të diplomuara me dituri dhe aftësi profesionale për t’iu përshtatur tregut të punës. Kjo u tha në konferencën “Ndërtimi i së ardhmes, aftësi praktike për gjeneratën e re”. Afaristët dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike vlerësojnë se në kohën kur inteligjenca artificiale gjithnjë e më shumë merr hov, nevojitet mobilizim gjithëpërfshirës për t’iu përgjigjur sfidave. Afaristët vlerësojnë se arsimit të lartë i nevojiten riorganizim dhe reforma, duke themeluar një komision të veçantë akreditues dhe të pavarur, që do t’i vlerësojë kapacitet e institucioneve arsimore në vend.
“Po vërejmë se në Maqedoni kemi super prodhim të diplomave, por shumë pak dituri. Andaj u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të larta arsimore të bëjnë përpjekje maksimale dhe ta ngrenë nivelin e arsimit për nevojat e ekonomisë. Presim që do t’i shfrytëzojnë përvojat nga ekonomia në pjesën e hartimit të kurrikulave dhe ajo që ligjërohet në universitete dhe e treta që presim është që të kemi një komision akreditues të pavarur, në të cilin do të ketë persona të jashtëm, që do të vlerësojë kapacitetin e vërtetë të numrit të madh të institucioneve arsimore, i cili rëndon tregun e punës.”, - deklaroi drejtori ekzekutiv i OEM-së, Antoni Peshev.
Arsimi i lartë duhet të riorganizohet dhe të reformohet për të qenë në gjendje i njëjti t’i përgjigjet tregut real të punës, tha me këtë rast ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke paralajmëruar se deri në fund të këtij muaji do të fillojë debati publik për disa ligje të hartuara për reforma në arsimin e lart.
“Trupi për reforma në Arsimin e Lartë gjatë gjithë vitit të kaluar ka punuar intensivisht, jo vetëm në tërësi si trup, por edhe i ndarë në grupe. Ky organ e kreu seriozisht punën e tij, për të cilin jam mirënjohëse ndaj tyre, dhe ndoshta kur të dalim me të gjitha këto produkte, tashmë të gatshme, do të kemi një seancë tjetër për të falënderuar njëri-tjetrin. Kryesisht, ajo që bëri ky trup ishte se punonin për përpilimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Pastaj, së bashku me anëtarët e Këshillit Kombëtar, punuan edhe për ligjin për Shkencën dhe Hulumtime dhe së fundmi punuam për Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë. Deri në fund të këtij muaji planifikojmë të fillojmë debatin publik mbi to.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Në kuadër të aktiviteteve për reforma në arsimin e lartë përfshihen edhe kontrollet e institucioneve të arsimit të lartë që kanë akreditim për veprimtari. Për shkak të veprimtarisë së paligjshme dhe mosveprimit ndaj vërejtjeve të inspektoratit të arsimit, deri tani janë mbyllur 14 institute shkencore private dhe një fakultet privat, tha, me këtë rast, Janevska.
REXHEP QAMILI
