Rajon
Kuvendi i Kosovës, të mërkurën, do të vendosë për qeveri të re ose zgjedhje
18.11.2025 15:46
Kuvendi i Kosovës duhet të vendosë nëse do të zgjedhë qeverinë e re ose do të shkojë në zgjedhje të parakohshme...

Kuvendi i Kosovës, të mërkurën më 19 nëntor, duhet të vendosë nëse do të zgjedhë qeverinë e re të mandatarit Glauk Konjufca ose do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka preferuar të përgjigjet nëse kanë siguruar numrat për Qeverinë Konjufca.
“Më duhet të shkoj shpejt në takimin e radhës.”, - u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë thënë se nuk do ta votojnë Qeverinë Konjufca, duke preferuar vendi të shkojë në zgjedhje. Nëntë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të mbetet pa qeveri të re, pasi kishte vonesa të shumta në konstituimin e Kuvendit. Këto vonesa dhe mosformimi i komisioneve kuvendore kanë pamundësuar edhe miratimin e buxhetit për vitin 2026, atë të RTK-së dhe Planin e Rritjes, por edhe një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë politike që nëse nuk e votojnë qeverinë e mandatarit Konjufca, para se të shpërbëhet Kuvendi dhe Kosova të shkojë në zgjedhje, të miratohet buxheti dhe vendimet tjera të lartpërmendura, që të mos bllokohet funksionimi i shtetit dhe punëtorët të mos mbeten pa rroga.
GYLTENE SINANI
