Maqedoni

Kuvend, pyetje nga opozita, Snopçe: Rivotimi duhej të ndodhë më 29 dhjetor

18.11.2025 15:50

ASh-ja hap dilemat nëse ripërsëritja e zgjedhjeve në katër komuna do të duhej të zhvillohej më herët se 11 janari....

ASh-ja hap dilemat nëse ripërsëritja e zgjedhjeve në katër komuna Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe në Qendër Zhupë do të duhej të zhvillohej më herët se 11 janari. Deputeti Halil Snopçe duke u thirrur në ligj tha se afati prej 60 ditëve pas shpalljes së zgjedhjeve përfundimtare dikton datë më të hershme, në fund të vitit për ripërsëritje të zgjedhjeve. Edhe pse kërkoi sqarim, nuk e mori nga ministri i Drejtësisë, Fillkov.
 
“KShZ-ja i shpalli rezultatet përfundimtare më 29 tetor për këto katër komuna. Logjikisht që afati prej 60 ditëve duhet të rrjedhë nga kjo ditë, e jo 12 nëntor, ku KShZ-ja del me konkluzionin për përfundimin e procesit zgjedhor. Ligji është i qartë dhe nëse shkojmë sipas kësaj, termini i fundit për mbajtjen e zgjedhjeve do të duhej të ishte 29 dhjetori.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
 
“Përgjigjen do ta dorëzoj me shkresë edhe pse shumë gjëra u ngatërruan nga deputeti. Do ta qartësoj këtë me shkrim.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov. 
 
Pagat dhe integrimi, preokupim i opozitës
 
Ndërkohë u shkëmbyen akuza rreth pagës minimale, inflacionit dhe standardit të rënduar.
 
“Për momentin keni rritje të madhe të çmimeve bazë të produkteve ushqimore. Inflacioni po e ha çdo denar që qytetarët e marrin në fund të muajit. Ju, në vend që të kërkoni zgjidhje dhe t’u ndihmoni qytetarëve, ju i leni punëdhënësit dhe punëtorët që të merren vesh. Nëse ju bënit vetëm 10% të asaj që e kemi bërë, sot minimalja do të ishte 600 euro.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
 
“Në kohën tuaj qytetarët me të vërtetë kanë pasur goditje në buxhetin e familjes, sot me një inflacion të përgjysmuar në krahasim me kohën tuaj, situata është dukshëm më ndryshe.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Nuk u la pa u prekur as eurointegrimi, si dhe kontesti gjuhësor - historik me Bullgarinë. E Majta druan se vendi pret “amin” nga Bullgaria për librat shkollorë.  
 
“Zotëri Mucunski si i dërguat për censurë librat e klasës së pestë dhe të gjashtë në Bullgari? A ndodhi kjo bazuar në marrëveshjen bullgare, propozimit francez apo protokollit të dytë, që Bujar Osmani e nënshkroi në Sofje?”, - theksoi deputeti i Së Majtës, Rexhep Ismail.
 
“Asgjë nuk është lëshuar për “amin” në Sofje. Kjo është dezinformatë, lajm i rremë. Institucionet tona shtetërore nuk kanë lëshuar asgjë, as libër e as dokument në Sofje për të ashtuquajturin amin.”, - u shpreh ministri për Punë të Jashtme, Timço Mucunski.
 
Opozita pyeti edhe për importin e mbeturinave nga BE-ja, që Maqedonia do t’i përpunonte. Por, kjo u përgënjeshtrua nga dikasteri i Ekologjisë.
 
MERAL ISMAILI