Maqedoni
Nesër do të nisë gjykimi për rastin e Koçanit, në Kuvend paralajmërohet debat mbikëqyrës
18.11.2025 15:52
Të mërkurën pritet të nisë procesi gjyqësor për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan....

Të mërkurën në orën 09:30, në sallën e gjyqit në ShNP “Idrizovë”, nën masa të forta sigurie dhe me ekip mjekësor në gatishmëri, pritet të nisë procesi gjyqësor për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan. Përballë akuzave do të dalin 35 persona dhe tre subjekte juridike, mes tyre ish-zyrtarë, inspektorë, pronarë objektesh, punonjës sigurie dhe administratë. Seancat do të zhvillohen dy herë në javë dhe procesin do ta udhëheqë gjyqtarja, Diana Gruevska Ilievska. Ndërkohë, paralelisht me nisjen e gjykimit, në Kuvend po shtohet presioni për vendosjen e mbikëqyrjes politike mbi institucionet pas ngjarjes së 16 marsit, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan. Pas marshit të familjarëve të viktimave të shtunën, të cilët kërkuan përgjegjësi dhe një shqyrtim të plotë politik të rastit, janë hapur dy iniciativa parlamentare. Deputeti Mecinoviq theksoi se E Majta kishte siguruar gjashtë nënshkrime dhe ishte gati ta plotësonte listën në çdo moment, por nevojiten 15 nënshkrime për një debat mbikëqyrës dhe të paktën 12 nënshkrime për një hetim të posaçëm.
"U bëj thirrje të gjitha grupeve parlamentare, VMRO-DPMNE, “E di”, VLEN, LSDM dhe BDI, të bashkohen. Sidomos opozitës, e cila njoftoi dje se do të niste një debat mbikëqyrës dhe hetimor mbi zjarrin. Ne jemi gati të japim gjashtë nënshkrimet tona.", - deklaroi deputeti i Së Majtës, Amar Mecinoviq.
Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk duan ta politizojnë dhe se do të presin se si do të rrjedhë gjykimi, që do të fillojë të mërkurën. Ata thonë se do të pranojnë formimin e komisionit anketues.
“Ne kërkesën e tillë do ta pranojmë, por kur e shohim se kjo kërkesë ka qëllime për përfitimin e pikëve politike, ky komision anketues duhet të zgjerohet edhe për të gjitha tragjeditë tjera për të cilat nuk ka asnjë përgjegjësi as politike, as penale e as njerëzore.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Nismën e dytë e ka paralajmëruar edhe LSDM-ja. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, konfirmoi dje mbështetjen e plotë për kërkesat e familjarëve dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve ta përkrahin iniciativën. Kështu, rasti “Puls” po zhvillohet paralelisht në dy fronte: ai juridik, me fillimin e një prej proceseve më të mëdha gjyqësore të këtij lloji, dhe ai politik, me kërkesën për një mbikëqyrje të gjerë parlamentare mbi veprimet e institucioneve të përfshira në tragjedi.
ARMEND MURSELI
