Maqedoni
Zekolli kërkon drejtësi për bashkëshortin e ndjerë: Prokuroria ta apelojë vendimin e Gjykatës Themelore
19.11.2025 14:37
Kaltrina Zekolli Shaqiri kërkon drejtësi për aksidentin e trafikut në Qarkoren e Shkupit në afërsi të Radishanit...

Kaltrina Zekolli Shaqiri, aktualisht zëvendësministre e Transportit dhe Lidhjeve, kërkon drejtësi për aksidentin e trafikut në Qarkoren e Shkupit në afërsi të Radishanit, ku humbi jetën bashkëshorti i saj, çiklisti Arbër Shaqiri. Zekolli Shaqiri sqaron se Gjykata Themelore ka shqiptuar dënim me burg prej 7 muajsh për personin që dyshohet se shkaktoi aksidentin. Siç tha ajo, kërkon drejtësi për familjen e saj dhe për çdo qytetarë. Zekolli Shaqiri pret nga Prokuroria që të ngrejë ankesë për vendimin e sjellë nga Gjykata Themelore.
“Për tri vite kemi pritur drejtësi, kemi pritur një proces të drejtë, një vendim që pasqyron peshën e një jete të humbur. Por, vendimi i dhënë së fundmi ka qenë tronditës. Vetëm 7 muaj burgim me të drejtë ankese. Dua të them qartë. Vepra penale për të cilin akuzohet i dyshuari është neni 300 paragrafi 4 i Kodit Penal, i cili parashikon dënim prej 1 - 5 vjet burgim. Dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është në kundërshtim të plotë me fajësinë, me pasojat tragjike të veprimeve të të akuzuarit dhe me praktikën gjyqësore për këtë lloj vepre. Ligji nuk më jep të drejtë ankese, por Prokuroria e ka dhe sot i drejtohem asaj publikisht. Kërkoj apel të vendimit, kërkoj dënim të drejtë, kërkoj që jeta e njeriut të mos vlerësohet nga një vendim që i ngjan një kundërvajtjeje të lehtë.”, - u shpreh bashkëshortja e të ndjerit - Arbër Shaqiri, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Rasti tragjik ka ndodhur më 17 nëntor të vitit 2022, ndërkaq, siç tha bashkëshortja e të ndjerit Arbër Shaqiri, procedura gjyqësore është iniciuar në maj të vitit 2025.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
