Rajon
Tiranë, për herë të parë Berisha në SPAK
19.11.2025 14:44
Rreth dy orë është pyetur sot në SPAK Sali Berisha...

Rreth dy orë është pyetur sot në SPAK Sali Berisha, për të dhënë llogari për herë të parë për vrasjet shtetërore të 21 janarit. Ish-kryeministri pohoi se kur proteston dhunshëm, edhe mund të vritesh.
“Kur përdorin dhunën, ka edhe plagosje, ka edhe vrasje, kjo është e pamohueshme. Dhe ata që organizojnë këto ose ata që shkelin ligjet, bëhen përgjegjës. Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt apo ndonjë gjë. Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet, ta eliminojë. Është gënjeshtër, nuk është qëlluar nga brenda godinës, është qëlluar nga vendrojat e gardës.”, - deklaroi Sali Berisha.
Para Prokurorisë së Posaçme, Berisha mohoi të ketë dhënë vetë urdhër për të qëlluar me plumba të vërtetë.
“Kush e dha urdhrin për të qëlluar me fishekë luftarakë dhe jo manovër?”, - i parashtruan pyetje.
“Ai urdhër është në mendjen tuaj, s’e ka dhënë njeri, të garantoj.”, - u shpreh ish-kryeministri, Sali Berisha.
“Ka një audio, keni një koment?”, - i parashtruan sërish pyetje.
“Ai urdhër është në mendjen tuaj dhe të atyre që trillojnë.”, - theksoi ish-kryeministri, Sali Berisha.
Një urdhër i dhënë për të qëlluar dëgjohet në një audio-regjistrim të komunikimeve të Gardës më datë 21 janar të vitit 2015, por Berisha flet për manipulim.
“Ajo audio është e manipuluar, janë manipuluar zërat. Tani manipulohen zëra edhe deri te presidentët amerikanë. Është si kaseta e Ilir Metës.”, - deklaroi ish-kryeministri, Sali Berisha.
Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën në SPAK korrikun e vitit të kaluar. Tre javë më parë në SPAK u pyet edhe ish-ministri i Brendshëm në vitin 2011, Lulzim Basha.
LULJETA NDOKA
