Maqedoni
Pagat minimale, BDI kërkon rritje sipas kostos së jetesës
19.11.2025 14:55
BDI kërkon rritje të pagës minimale, që do t’i përshtatej kostos reale të jetesës...

BDI kërkon rritje të pagës minimale, që do t’i përshtatej kostos reale të jetesës, 600 euro për personat me arsim të mesëm dhe 800 euro për personat me arsim të lartë. Sipas deputetit, Blerim Bexheti, me të ardhurat aktuale minimale, punëtori mund të mbulojë vetëm 62% të shportës konsumatore. Bexheti thotë se shifrat ekonomike flasin se ka hapësirë për rritje të pagave pa dëmtuar bizneset. Bexheti tha se kërkesa do të procedohet në Kuvend, ndërkaq ftoi sindikalistët t’i bashkëngjiten nismës së tyre.
“Kërkimet ekonomike bashkëkohore dhe praktika evropiane tregojnë se paga minimale kthehet menjëherë në ekonomi, përveç konsumit. Sipas llogaritjeve nacionale, rritja e pagës minimale me 100 euro sjell 0.4 % rritje të bruto prodhimit vendor dhe rreth 40 milionë euro konsum privat shtesë në vit. Shteti po humb mijëra qytetarë të aftë për punë dhe arsyeja kryesore janë pagat e ulëta.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
Ditë më parë rritje të minimales në 500 euro nga foltorja e Kuvendit kërkoi deputetja socialdemokrate, Jovana Trençevska. Por, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, tha se rritja eventuale në rrethanat aktuale do të shkonte në dëm të qytetarëve, pasi kompanitë do të detyrohen të largojnë njerëz nga puna. Aktualisht paga minimale në Maqedoni është afër 400 euro me paralajmërim për rritje prej 2 mijë denarëve nga marsi i vitit 2026. Në Shqipëri nga janari paga minimale rritet në rreth 500 euro, ndërkaq në Serbi nga 500 euro bëhet 550 euro. Në Mal të Zi paga minimale është 600 euro. Në Bosnje paga minimale është 511 euro, ndërsa në Kosovë nga 425 euro paga minimale rritet në 500 euro.
MERAL ISMAILI
