Maqedoni

ASh-ja e Selës braktisi AKI-në: Do të veprojmë në mënyrë autonome

19.11.2025 15:12

ASh e Ziadin Selës do të vazhdojë të funksionojë si parti e pavarur, jashtë koalicionit AKI...

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës do të vazhdojë të funksionojë si parti e pavarur, jashtë koalicionit AKI. Kryesia e Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës, në mbledhjen e partisë, kanë vendosur se kjo parti nga tani e tutje do të veprojnë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Kuvend, duke ndarë kështu rrugët me koalicionin AKI.
 
“Periudhën në vijim, strukturat dhe eksponentët e partisë do të fillojnë me takime jo vetëm të anëtarëve të partisë, por edhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë, aktorëve qytetarë e politikë dhe të çdo individi ose organizimi për të forcuar radhët tona dhe për të zhvilluar betejën tonë politike në këto momente shumë të ndjeshme politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.”, thuhet në njoftim.
 
VLEN: AKI po shkon drejt shpërbërjes
 
Ndërkohë, pas shkëputjes së ASh-së së Selës nga AKI kanë reaguar nga Koalicioni VLEN. VLEN vlerëson se koalicioni AKI, është i ndërtuar pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik dhe i njëjti, sipas VLEN-it, po hyn në fazën e shpërbërjes. 
 
“Moskoordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët.”, vlerësojnë nga VLEN.
 
Bexheti: Do ta vazhdojmë bashkëpunimin si opozitë
 
Ndërkohë i pyetur rreth largimit të partisë së Ziadin Selës nga AKI, deputeti, njëherësh sekretari organizativ i BDI-së, Blerim Bexheti, tha se respektojnë këtë vendim të z. Sela, ndërsa presin që bashkëpunimi i tyre të vazhdojë si opozitë.
 
“Ne kemi pasur dhe kemi një bashkëpunim dhe komunikim të shkëlqyeshëm. Ata dëshirojnë dhe kanë vendosur që t’i kthehen vetvetes, gjë të cilën ne e përshëndesim, i përkrahim, që bashkërisht të gjitha subjektet opozitare, për të gjitha këto zhvillime që ndodhin në shtet, ta rikthejmë situatën në normalitet, pasi që jemi dëshmitarë se në shumë fusha ka regres jashtëzakonisht të madh.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti. 
 
Gjithashtu, Bexheti bëri të ditur se bashkëpunimi me partinë e Ziadin Selës do të vazhdojë në të gjitha komunat, në të cilat kanë garuar si koalicion me lista të përbashkëta.
 
ERSAN PAJAZITI