Maqedoni

Filloi gjykimi për tragjedinë në Koçan, Prokuroria arsyeton procedurën e aktakuzës

19.11.2025 15:45

Me shumë interes dhe vëmendje ka filluar gjykimi për rastin e tragjedisë në Koçan....

Me shumë interes dhe vëmendje ka filluar gjykimi për rastin e tragjedisë në Koçan. Me deklarata tronditëse dhe të detajuara, prokurori Borçe Janev nga Prokuroria Themelore Publike e Koçanit e arsyetoi procedurën e aktakuzës për tragjedinë në diskotekën “Puls”. Janevi theksoi se nuk mund të pranohet teza se përgjegjësinë duhet ta mbajë vetëm ai që ka qenë në detyrë në momentin e fatkeqësisë, duke theksuar se lëshimet kanë qenë sistematike dhe të përsëritura për vite me radhë. Prokurori në fjalë theksoi se që nga themelimi i klubit deri në ditën e zjarrit, nuk ka pasur kurrë një sistem mbrojtjeje nga zjarri apo ndonjë lloj mbrojtjeje.
 
“Që nga fillimi deri në zjarr, nuk ka pasur sistem mbrojtjeje nga zjarri, nuk ka pasur departamente zjarrfikëse, detektorë, paralajmërime. Me anomali të tilla nuk ka mbrojtje kundër rrezikut. Dritaret ishin të mbyllura dhe të ndara me llamarina, ishin instaluar materiale lehtësisht të ndezshme që ishin toksike në rast djegieje dhe kishte vetëm një dalje për evakuim. Prandaj, ne pretendojmë se kjo diskotekë ka vepruar në kundërshtim me standardet, ligjin, logjikën e shëndoshë dhe parimin e përgjegjësisë. Siguria atje nuk ishte e kompromentuar, nuk ka ekzistuar kurrë.”, - deklaroi prokurori, Borçe Janev.
 
Gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, para fillimit të seancës së parë, theksoi se do të kërkojë disiplinë nga të gjitha palët dhe të pranishmit në sallën e gjyqit, duke nënvizuar se për çdo shtyrje të panevojshme do të pasojë sanksion.
 
“Me gjithë respektin për dhimbjen dhe trishtimin e prindërve dhe të afërmve, ne do ta kemi parasysh këtë, por ne jemi profesionistë dhe do t’u japim mundësi të gjithëve të paraqesin teorinë e tyre dhe të ofrojnë prova. Si këshill mund të garantojmë se, aq sa është e mundur, do të jemi transparentë dhe për gjithçka që ndodh, ju do të jeni të informuar.”, - theksoi gjyqtarja, Diana Gruevska Ilievska.
 
Prindërit e viktimave ndërkohë kërkojnë drejtësi, në mënyrë që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më kurrë. 
 
“Në vet fillimin e seancës gjyqësore hasim një skepticizëm të madh dhe lojë të përpunuar të avokatëve dhe prokurorëve, të cilët manipulojnë me mënyra të ndryshme që dhimbjen tonë edhe më shumë ta thellojnë. Me çfarë krenarie i japin deklaratat se kjo seancë gjyqësore do të zgjasë 15-20 vite?! Për ne 15 ditë apo 15 muaj janë shumë.”, - tha një prind.
 
“Dënimi i përjetshëm te ne për këtë vepër është 20 vite. Duhet të ketë dënim të përjetshëm. Me 20 vjet burg nuk mendojmë se drejtësia do të plotësohet. Janë shuar 63 jetë të reja. Ne humbëm fëmijët tanë, humbëm të ardhmen tonë. Nuk mund të pranojmë se kjo është e mjaftueshme. Duam drejtësi, duam të dimë se një tragjedi e tillë nuk do të përsëritet kurrë më.”, - u shpreh një prind tjetër.
 
Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, theksoi se LSDM do ta ndjekë me vëmendje të gjithë procesin e gjykimit dhe do t’i kundërvihet çdo përpjekjeje për manipulim.
 
“Nuk do të heqim dorë nga synimi për të mbetur fort në mbrojtje të interesit publik, do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike që na ofrohen si parti politike dhe përmes Kuvendit, si dhe debatet që i kemi kërkuar, që e vërteta më në fund të dalë në dritë.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Përndryshe, në zjarrin që shpërtheu në diskotekën “Puls” në Koçan më 16 mars, jetën e humbën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. 
 
BELINDA KOKA ADEMI