Rajon

Kuvendi i Kosovës nuk e zgjodhi Qeverinë e re, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

19.11.2025 16:04

Kuvendi i Kosovës nuk e votoi Qeverinë e re të mandatarit, Glauk Konjufca....

Kuvendi i Kosovës nuk e votoi Qeverinë e re të mandatarit, Glauk Konjufca. Duke paraqitur ekspozenë dhe propozimin për kabinetin qeveritar,  Konjufca tha se do të ishte arrogancë që vendi të dërgohet dhe njëherë në zgjedhje, duke thënë se kush garanton se do të shmangen ato edhe në mars. Pa një qeveri të re, Kosova e ka të sigurt thellimin e krizës, tha Konjufca.
 
“Patëm zgjedhje në shkurt të këtij viti, e pastaj dy raunde të zgjedhjeve në tetor e nëntor. Tash ne shkojmë në zgjedhje të reja në dhjetor, kush na garanton që do të shmangim ato edhe në mars?! Nuk ka kurrfarë garancie, e nëse kjo ndodh, institucionet tona duhet të jenë të përgatitura, por për qytetarët është rraskapitëse, për KQZ-në një sfidë që kurrë nuk e kanë provuar. Kurse për taksat e popullit edhe 8 milionë tjera të harxhuara pa nevojë.”, - deklaroi mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Paraprakisht u propozua edhe formimi i komisioneve kuvendore, që do të mundësonin miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. 
 
“Unë ju bëj thirrje edhe njëherë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës, pa dallim partie, që sot të jemi këtu në Kuvend, ku na ka sjellë populli i Kosovës dhe t’i votojmë tri marrëveshjet me Bankën Botërore, marrëveshjen për planin e rritjes së BE-së për vendin tonë afër 900 milionë euro gjithsej, buxhetin për tri komunat: Prishtinë, Gjilan,  Zubinpotok, buxhetin për vitin 2026 dhe në këtë mënyrë të ecim bashkë përpara. Të gjitha ballafaqimet e ideve që kemi, i zgjidhjeve që japim, le t’i ruajmë për diskutime në fushatën zgjedhore.”, - theksoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti. 
 
Por, PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe nuk u pajtuan me këtë propozim dhe preferuan që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
 
“Në asnjë vend nuk lejohet që një Qeveri, një Kuvend të mblidhet dhe të trajtojë çështje tjera, përveç zgjedhjes së Qeverisë. Midis konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë nuk lejohet të mbahet asnjë seancë e ndërmjetme. Si mund të formohen komisione parlamentare kur nuk është definuar se kush është pozitë e kush opozitë në këtë vend.”, - u shpreh Përparim Gruda nga PDK.
 
“Është fatkeqësi që në këtë krizë Kosovës i humbën 15 ditë. Dhe në këto 15 ditë, as nuk është bërë ndonjë përpjekje për të krijuar shumicë, e as nuk është takuar ndonjë parti politike për të zgjidhur çështjet me emergjencë. Kanë vendosur në ditën e fundit të mbajnë një seance për shfaqje teatrale, prandaj nuk presim asgjë përveç thirrjes së presidentes që të përcaktojë datën e zgjedhjeve.”, - deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
 
“Është vendim i Aleancës që të votojmë kundër kësaj kandidature, këtij mandatari.”, - theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
 
“Kjo që po ndodh sot nuk është dashur t’i ndodh demokracisë kosovare. Kjo është një tallje se si po tentohet të përmbyset tërë ajo që është ndërtuar në Kosovë.”, - u shpreh kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
 
Në rrethana kur edhe mandatari i dytë nuk mori besimin e deputetëve, fjalën e fundit e ka presidentja e Kosovës, e cila do të duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 
 
GYLTENE SINANI