Kulturë
Ditët e Alfabetit 2025, 17 vjet nga Kongresi i Manastirit
19.11.2025 16:36
Nga 14 deri më 22 nëntor mbahet edicioni i shtatë i manifestimit “Ditët e Alfabetit”...

Nga 14 deri më 22 nëntor mbahet edicioni i shtatë i manifestimit “Ditët e Alfabetit”, me një program të pasur kulturor dhe shkencor, për nder të 117-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 18-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Gjuhëtari shqiptar, prof. Dr. Xhevat Lloshi, në ligjëratën e tij përshkroi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit.
“Ndonëse kanë kaluar 117 vjet nga mbajtja e Kongresit të Manastirit, ai vazhdon të përkujtohet sistematikisht. Arsyeja është e qartë: Kongresi nuk ishte vetëm vendosja e një alfabeti të standardizuar me shtrirje mbarëkombëtare, i cili përdoret edhe sot me dobi të plotë edhe në epokën e teknologjisë elektronike, por gjithashtu trajtoi dhe zgjidhi çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe unitetit të shqiptarëve.”, - deklaroi gjuhëtari, prof. dr. Xhevat Lloshi.
Drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini, e cilësoi librin e prof. Dr. Xhevat Lloshit për Gjergj Qiriazin si një botim të rëndësishëm për Kongresin e Manastirit.
“Libri për Gjergj Qiriazin është një përmendore për Kongresin e Manastirit, një nga botimet më të zgjeruara që ka publikuar Instituti jonë mbi këtë ngjarje historike.”, - theksoi drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini.
Përfaqësuesja e Ambasadës së Shqipërisë, Elda Bakiu, theksoi rolin historik të Kongresit.
“Kongresi i Manastirit ishte rezultat i shumë përpjekjeve të bashkuara dhe shërbeu si gurthemel për vendosjen e alfabetit të gjuhës shqipe dhe standardizimin e tij në unifikimin e gjuhës së shkruar.”, - u shpreh përfaqësuesja e Ambasadës së Shqipërisë, Elda Bakiu.
Aktivitetet tradicionale të ITShKSh-së – Shkup do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Nesër do të mbahet tribunë shkencore për 120-vjetorin e Komitetit të Fshehtë të Manastirit, në Muzeun e Alfabetit – Manastir; të premten: Akademi solemne për Ditën e Alfabetit dhe përvjetorin e ITShKSh-së; më 22 nëntor: Tribunë shkencore “Një komb, një gjuhë, një abetare”, e organizuar nga ITShKSh – Shkup, Muzeu i Alfabetit – Manastir dhe Ambasada e Shqipërisë.
ARMEND MURSELI
