Botë
Lindja e Mesme, Izraili sulmoi kampin e refugjatëve në Liban
19.11.2025 17:04
Sulm vdekjeprurës në kampin e refugjatëve palestinezë në Libanin jugor....

Sulm vdekjeprurës në kampin e refugjatëve palestinezë në Libanin jugor. Ushtria izraelite tha se objektivi ishte një qendër trajnimi e Hamasit. Ishte incidenti më vdekjeprurës në Liban, që nga fillimi i një armëpushimi midis Izraelit dhe Hezbollahut një vit më parë. Pas sulmeve të djeshme në Bregun Perëndimor, kryeministri Netanjahu tha se ata ishin të vendosur t'i jepnin fund luftës në të gjitha frontet.
"Kemi qenë dëshmitarë të një sulmi tjetër terrorist palestinez dhe jemi të vendosur t'i japim fund luftës në të gjitha frontet, duke përfshirë çarmatosjen e Hamasit dhe çmilitarizimin e Rripit të Gazës për të siguruar që Gaza të mos përbëjë më një kërcënim të madh.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Izraelitët dhe palestinezët e kanë mirëpritur planin e paqes së Trampit për Gazën, i cili u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Plani, një hap drejt paqes së qëndrueshme, bën thirrje për forca ndërkombëtare në kufij dhe çmilitarizimin e Hamasit. Rezoluta mbështeti gjithashtu krijimin e një Bordi Paqeje - një organ kalimtar me kompetenca të gjera mbi Gazën, të cilin Trampi do ta kryesojë. Presidenti amerikan ftoi gjithashtu Princin e Kurorës Saudite, Mohamed bin Salman, të jetë pjesë e bordit.
“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar zyrtarisht planin tim të paqes dhe ka miratuar zyrtarisht Bordin e Paqes. Ky është një bord si asnjë tjetër. Do të ketë krerët e vendeve të mëdha. Shpresoj që Madhëria Juaj do të jetë në bord. Ishte nder që u zgjodha kryetar i atij bordi.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Truamp.
Arabia Saudite po bëhet një aleat i madh i ShBA-së jashtë NATO-s, vuri në dukje kreu i Shtëpisë së Bardhë. Mbretëria do të rrisë investimet e saj në Shtetet e Bashkuara në një trilion dollarë. Në këmbim, Trampi njoftoi një marrëveshje të madhe sigurie me Riadin, e cila i ngre marrëdhëniet midis dy vendeve në një nivel të ri dhe lehtëson transferimin e armëve. ShBA-ja do t'i shesë avionë luftarakë F-35 Arabisë Saudite në një marrëveshje të ngjashme me atë që Shtetet e Bashkuara kanë me Izraelin.
“Ne kemi nënshkruar shumë marrëveshje që do të hapin derën për një zhvillim më të thellë të marrëdhënieve në shumë fusha dhe ne do të punojmë për këtë. Ne besojmë se mundësitë janë të mëdha. Pra, ne do të përqendrohemi në zbatim dhe do të vazhdojmë të rrisim mundësitë midis dy vendeve.”, - u shpreh Princi i Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman.
Trampi po përpiqet t'i inkurajojë sauditët të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin. Princi Salman ka theksuar se Arabia Saudite dëshiron të sigurohet që të krijohet një shtet palestinez përpara se të nënshkruhet Marrëveshja e Abrahamit.
FITIM KRYEZIU
