Tramp nënshkroi publikimin e dosjeve të Epstinit
20.11.2025 12:44
Donald Tramp nënshkroi legjislacionin....

Donald Tramp nënshkroi legjislacionin që urdhëron Departamentin e Drejtësisë të publikojë dokumente nga hetimi i tij i gjatë ndaj Xhefri Epstin, dosje të kërkuara me padurim si nga kundërshtarët e tij politikë ashtu edhe nga anëtarët e bazës së tij, të cilët kanë kërkuar transparencë më të madhe në këtë rast.
Materiali mund të hedhë më shumë dritë mbi aktivitetet e Epstinit, i cili shoqërohej me Trampin dhe figura të tjera të shquara para dënimit të tij në vitin 2008 me akuzat për nxitje të prostitucionit të një të mituri.
Trampi akuzoi demokratët se e përdorën skandalin Epstin si armë për të minuar arritjet e tij dhe për të larguar vëmendjen nga ato që ai i quajti fitore të politikave republikane. Ai e portretizoi Epstinin si një aleat demokrat dhe tha se publikimi i ardhshëm i dokumentit do të ekspozonte “lidhjet e tyre” me të.
"Ndoshta e vërteta rreth këtyre demokratëve dhe lidhjeve të tyre me Xhefri Epstin do të zbulohet së shpejti”, shkroi ai në një postim në Truth Social. Në një konferencë për shtyp më herët gjatë ditës, prokurorja e përgjithshme Pam Bondi konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë do të publikojë materialin e tij në lidhje me Epstinin brenda 30 ditëve, siç kërkohet nga legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i kontrolluar nga republikanët të martën, shkruan Rojters.
