Rajon
Presidentja e Kosovës ka shpërndarë Kuvendin, caktoi datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor
20.11.2025 14:14
Osmani ka shpërndarë përbërjen e nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme...

Pas dështimit për krijimin e Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë përbërjen e nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor. Për datën e zgjedhjeve, presidentja Osmani ka thirrur në konsultim liderët e partive politike. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza; ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nga Nisma, kanë propozuar 21 dhjetorin si datë ideale për të mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Qëndrimi ynë si PDK është se kemi kërkuar që data e mbajtjes së zgjedhjeve të jetë data 21. Arsyet pse data 21, është për shkak se ne kemi pasur një shtyrje të vazhdueshme, një bllokadë në krijimin e institucioneve, që bie barrë e partisë që ka fituar numrin më të madh të votave dhe vendi ka nevojë të ketë sa më shpejt institucione.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Duke qenë se ka shumë akumulime të temave buxhetore në respekt të qytetarëve të vendit për kohën e humbur kemi propozuar që të jetë dita e zgjedhjeve parlamentare më 21 dhjetor.”, - theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Presim që më 21 dhjetor të shpallen zgjedhjet. Janë vetëm dy data 21 dhe 28 dhjetor, të shohim se cila do të vendoset.”, - u shpreh kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
Por, Faton Peci nga Guxo, preferon që data e mbajtjes së zgjedhjeve të jetë 28 dhjetori.
“Ne mendojmë se data më optimale mes datës 21 dhe 28, më e favorshmja, më e përshtatshmja për qytetarin, për mërgatën, për institucionin për menaxhim më të mirë është data 28 dhjetor.”, - deklaroi kryetari i GUXO, Faton Peci.
Përbërja e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e cila tanimë është shpërndarë nga presidentja, brenda nëntë muajsh u përball me vonesa të shumta për konstituimin e Kuvendit. Pas shumë përpjekjesh dhe parashtresash në Gjykatën Kushtetuese, u arrit të zgjidhet kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, por jo edhe qeveria e re, pasi fillimisht mandatari Albin Kurti, e më pas edhe Glauk Konjufca, nuk arritën të sigurojnë 61 vota të deputetëve, duke e çuar kështu vendin në zgjedhje të parakohshme. Para shpërndarjes së Kuvendit, presidentja ftoi partitë politike që t’i krijojnë komisionet kuvendore dhe ta miratojnë propozim-buxhetin për vitin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por partitë politike nuk patën gatishmëri për një gjë të tillë.
GYLTENE SINANI
