Janevska dhe Mickoski, të pafuqishëm të pengojnë shitjen e vauçerëve

20.11.2025 14:35

Rreth 27 mijë studentë kanë shfrytëzuar mundësinë....

Rreth 27 mijë studentë kanë shfrytëzuar mundësinë për të aplikuar për vauçer në vlerë prej 15.300 denarë për të blerë pajisje elektronike.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u shpreh e kënaqur nga realizimi i këtij projekti, por e brengos faktin nëse thirrja e vauçerëve u hap mundësi studentëve për të përfituar ekonomikisht nga rishitja e tyre.

Janevska thotë se në këtë drejtim MASh-i është e pafuqishme dhe se kjo çështje mbetet në ndërgjegjen e studentëve. 

“Ky është aksion i sekretariatit të përgjithshëm. Ne jemi ndërmjetësues në realizimin e të drejtave të studentëve. Ligji thotë të drejtë për vauçerë kanë studentët deri në 29 vjeç.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Ndërkohë edhe kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, u shpreh i kënaqur nga numri i madh i vauçerëve të shpërndarë, por edhe ai vlerëson se shumë vështirë e kanë për t’i keqpërdorur këto vauçerë, pasi që të njëjtat janë të shpërndara me të dhënat personale të studentëve.

“Mendoj se me ditën e djeshme 27 mijë studentë i morën vauçerët, që paraqet një shifër të konsiderueshme, e tani si do ta shfrytëzohen mbetet në ndërgjegjen e studentëve. Ne si qeveri realizuam këtë projekt, pasi që të njëjtin e premtuam. E tani shoh se po paraqiten disa shpallje për shitje të vauçerëve, e tani a janë të vërteta apo jo, nuk mund ta di. Por, ka edhe dukuri të tilla kur ato shiten për çmim më të ulët, mirëpo mendoj se edhe nëse ato shiten, nuk mund të shfrytëzohen, pasi që ato janë marr me të dhëna personale, andaj mendoj se këto tentime janë të kota.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Me këtë projekt do të përfshihen rreth 55 mijë studentë, të cilët do të fitojnë vauçerë prej 15.300 denarë për furnizim me pajisje. Thirrja është e shpallur në uebfaqen elektronike, uslugi. gov. mk, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje që të gjithë studentët të aplikojnë për atë më së voni deri më 20 dhjetor 2025. (Rexhep Qamili, TVM2)