Maqedoni
Drejtësia dhe integrimet, Dereban: Punohet në ligjet që duhet reformuar
20.11.2025 14:59
Ministria e Drejtësisë ka punuar dhe po punon në ligje kryesore që kërkon Bashkimi Evropian...

Ministria e Drejtësisë ka punuar dhe po punon në ligje kryesore që kërkon Bashkimi Evropian e njëherësh janë potencuar edhe në raportin e fundit obligimet për një jurisprudencë efikase dhe të pavarur. Zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban shtoi se në Ligjin për Këshillin Gjyqësor kanë marrë periudhë shtyrjeje nga BE-ja deri në qershor të vitit të ardhshëm, ndërkaq për Kodin Penal tha se po punohet intensivisht.
“Në periudhën e ardhshme planifikohet të sillen ndryshimet në Kodin Penal, për shkak të tejkalimit të problemit të ndryshimeve skandaloze të Kodit Penal, që i bëri Qeveria e kaluar në vitin 2023. Bëhet fjalë për kod të ri penal, por duhet ta kemi parasysh se Kodi Penal aktual është miratuar në vitin ’96 dhe ka pësuar dhjetëra ndryshime. Në këtë kod punohet intensivisht pesë vite. Ne kemi qenë të detyruar të zbatojmë direktiva të reja, direktiva evropiane dhe kur të mbarojë ky proces, duhet ta dorëzojmë për mendim në Komisionin Evropian.”, - deklaroi zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban.
Nupnau: Në drejtësi të kenë qasje të gjithë
Nga delegacioni i BE-së në Shkup me porosi që ligjet të vlejnë për të gjithë dhe njëherësh të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në drejtësi, duke përkujtuar se drejtësia vjen me sundim e ligjit. Sipas zëvendësshefit të zyrës së Unionit, Ben Nupnau, kjo është pjesë e legjislacionit evropian dhe obligim i të gjitha vendeve anëtare dhe i atyre aspirante.
“Drejtësia duhet të jetë e qasshme për të gjithë dhe në çdo kohë, ngaqë drejtësia që u lejohet vetëm disave, nuk është drejtësi e vërtetë. Ndihma juridike falas nuk është mëshirë, por e drejtë. Të gjithë njerëzit, pavarësisht të ardhurave, patjetër të kenë qasje të drejtë në ligj, pa asnjë diskriminim. Kjo bën pjesë në të gjitha iniciativat e BE-së, përmes marrëveshjeve të ndryshme që sigurojnë ndihmë juridike.”, - theksoi zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Shkup, Ben Nupnau.
Nga Ministria e Drejtësisë informuan se përmes departamentit dhe komisionit të posaçëm jepet ndihmë juridike falas për kategoritë që nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta realizuar të drejtën e tyre. Në vitin e kaluar 5.030 qytetarë kanë marrë ndihmë juridike falas, numër që vazhdimisht shënon rritje, tha zëvendësministri i resorit, Dereban.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
