Klinika Kirurgjikale në Shkup siguroi aparat të ri për rezonancë magnetike
Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjike...

Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” ka siguruar një aparat të gjeneratës më të re për rezonancë magnetike dhe pajisje tjera në vlerë prej rreth një milion e gjysmë euro mjete të ndara nga Qeveria. Aparati i ri do të zëvendësojë aparatin e vjetër që shfrytëzohej prej 16 vitesh, bën të ditur drejtori i spitalit.
“Me këtë gjeneratë të re të aparateve për rezonancë magnetike shkurtohet koha e ekzaminimeve dhe rritet numri i kontrollimeve që mund të kryhen brenda ditës. Nëse me aparatin paraprak, i cili ishte 16 vjet i vjetër, kryheshin rreth 4.000 rezonanca magnetike në vit, me aparatin e ri presim të realizojmë të paktën 5 mijë, por gjithçka varet nga numri i ndërrimeve në të cilat do të punohet.”, - deklaroi drejtori i klinikës, Nebojsha Nastov.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe kryeministri Hristijan Mickoski premtuan mbështetje të mëtejmë për sektorin e shëndetësisë.
“Vazhdojmë aty ku u ndalëm, për shkak të zgjedhjeve lokale. Ky është edhe një projekt tjetër i realizuar nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për avancimin e procedurave diagnostikuese, me qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore në kohë reale dhe me cilësi më të lartë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Si Qeveri, ne e kemi trajtuar seriozisht këtë problem. Së bashku me ministrin, në periudhën që vijon do të kemi një takim më të gjatë në të cilin do të përcaktojmë hapat për të ardhmen. Do të ketë reforma serioze, si strukturore ashtu edhe cilësore, dhe jam i bindur se brenda pak vitesh do të kemi një vizion krejtësisht të ri në kujdesin shëndetësor. Meqenëse e them shpesh, do ta përsëris edhe sot, se si Qeveri, po ndajmë më shumë se një miliard euro për kujdesin shëndetësor. Diçka që nuk është bërë kurrë më parë kaq shumë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski njëherësh u bëri thirrje qytetarëve të inkurajohen dhe të paraqesin prova për "ndërmjetësit e shëndetit" që po shkatërrojnë imazhin e klinikës, duke theksuar se Qeveria ka mjetet për t'i sanksionuar ata. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
