Botë

Indi, vazhdon moti përvëlues, në 1100 numri i viktimave

27.05.2015 13:56

Vala e të nxehtit, e përplasur mbi Indi, nuk jep shenja zbutjeje dhe për disa ditë të paktën...

Vala e të nxehtit, e përplasur mbi Indi, nuk jep shenja zbutjeje dhe për disa ditë të paktën, siç parashikojnë meteorologët, situata nuk ka për t’u përmirësuar.
 
Temperaturat kanë shtuar numrin e viktimave, që tani arrijnë në 1100. Spitalet janë në gatishmëri për trajtimin e viktimave të vapës së skajshme, ndërsa autoritetet i këshillojnë njerëzit të shmangin sa më shumë të munden daljen nga shtëpitë.
 
Paralajmërime për të nxehtin ekstrem janë lëshuar në disa shtete, ku termometri parashikohet t’i kapërcejë 45 gradë celsius. Këtë të nxehtë po e vuajnë edhe taksistët. 
 
“Makinat po na prishen për shkak të nxehtësisë. Kjo nxehtësi po na shkakton shumë probleme. As njerëzit nuk dalin jashtë, nuk ka punë”- deklaroi taksisti, Devender Kumar.
 
I nxehti dhe mosdalja e njerëzve në rrugë ka shkaktuar problem edhe për shitësit ambulantë. I gjithë ushqimi prishet edhe pse në mëngjes është i freskët, sepse askush nuk vjen të blejë.
 
Në Telangananë, që ndan kufirin me Andhra Pradeshin në jug, termometri shënoi gjatë fundjavës 48 gradë celsius. Vetëm ditët e fundit, në këtë shtet llogaritet të kenë humbur jetën 231 persona.
 
Me qindra vetë, kryesisht nga shtresat e varfra të shoqërisë, ndërrojnë jetë çdo vit, në mbarë Indinë, gjatë pikut të sezonit veror, e të tjerët vuajnë ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të mbingarkesës së rrjetit.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU