Ekonomi
Komisioni për Financa dhe Buxhet, debati për buxhet, akuza për ndikim në gjyqësor
20.11.2025 15:49
Opozita parashtroi amendamente për buxhetin, ndërsa pushteti i refuzoi ato...

Opozita parashtroi amendamente për buxhetin, ndërsa pushteti i refuzoi ato. Në këtë atmosferë kaloi debati rreth propozim-buxhetit të vitit 2026 në Komisionin amë për Financë dhe Buxhet. Megjithatë, deputetët e shfrytëzuan diskutimin për t’u përplasur lidhur me atë se kush ushtron ndikim në Gjykatën Kushtetuese. VMRO-DPMNE vlerëson se LSDM, përmes gjykatësve të vendosur në Kushtetuese, po tenton të shfuqizojë rritjen e pensioneve.
“Dora e zgjatur e LSDM-së në Gjykatën Kushtetuese, gjykatësja Dobrilla Kacarska ka dorëzuar parashtresë deri te Gjykata Kushtetuese, për të vlerësuar rritjen linerare të pensioneve. Paramendoni, lëre që i kanë ofenduar dhe i kanë vjedhur njerëzit me vite, tani kur dikush erdhi dhe ua rriti pensionet të gjithë pensionistëve për 7 mijë denarë, Dobrilla Kacarska, tani vet dorëzoi parashtresë. LSDM përmes Dobrilla Kacarskës dëshiron t’ua merr rritjen e pensioneve.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Pretendimit të Bojan Stojanovskit iu kundërpërgjigj Fatmir Bytyqi nga LSDM, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në se po e përdor Gjykatën Kushtetuese si armë politike dhe po krijon narrativ të rremë për pensionet.
“Nuk e di nëse Gjykata Kushtetuese është e jona apo e juaja. Kur anuloi Balancuesin i juaji, kur shqyrton Badinterin është i juaji, kur shqyrton gjuhën shqipe është i juaji. Tani doli që është i joni. Pritni, kush e ka sjellur vendimin, kryetari juaj i Gjykatës Kushtetuese, ai e ka sjellur vendimin. E dini përse, sepse vetëm 27 mijë pensionistë e marrin atë që e meritojnë, ndërsa 315 mijë marrin më pak.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Përndryshe buxheti për vitin 2026 është planifikaur në 6.7 miliardë euro, ndërsa është paraparë që në arkën shtetërore të derdhen më shumë para nga tatimi mbi të ardhurat personale, me rritje prej 8.7%. Rritja ekonomike parashihet të arrijë në 3.8%, infaliconi në 2.5%, deficiti buxhetor në 3.5%, ndërsa investimet kapitale janë planifikuar në 650 milionë euro.
ERSAN PAJAZITI
