Rajon
Gjykata e posaçme në Shqipëri, pezullon nga detyra zëvendëskryeministren Balluku
20.11.2025 16:00
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është nën hetim edhe për tenderin për lotin e katërt të Unazës së Madhe...

Pasi u mor e pandehur nga SPAK-u për shkelje me Tenderin e Llogarës, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është nën hetim edhe për tenderin për lotin e katërt të Unazës së Madhe. Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin nga detyra të Ballukut, si dhe i ka ndaluar daljen jashtë Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, Balluku bëhet e dyta zëvendëskryeministre, pas Arben Ahmetajt, që ka hesape për të larë me drejtësinë për korrupsion të nivelit të lartë.
Vendimi i marrë së fundmi nga autoritetet shqiptare i është dërguar institucioneve për zbatim. Menjëherë pas vendosjes së këtyre masave, zëvendëskryeministrja u pa duke hyrë në zyrën e kryeministrit Edi Rama, ku ka qëndruar për disa orë. Pasi të njihen me vendimin e gjykatës, brenda 72 orëve, Balluku dhe dy zyrtarët e tjerë duhet të paraqiten në gjykatë për verifikim të kushteve të masës së sigurisë dhe më pas kanë të drejtë ta ankimojnë. Në një reagim të parë për mediat, GjKKO u tregua e rezervuar për të ndarë një koment mbi këtë lajm.
Nga Qeveria nuk ka ende asnjë reagim, por të shumta ishin reagimet nga radhët e opozitës. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, u shpreh se rënia e Belinda Ballukut është çelje kapitulli, dhe jo përrallat e Ramës.
LULJETA NDOKA
