Maqedoni
Rasti “Onkologjia”, u dëgjuan katër dëshmitarë
20.11.2025 16:16
Në seancën e sotme dëgjimore për rastin “Onkologjia 2” në Gjykatën Themelore Penale në Shkup...

Në seancën e sotme dëgjimore për rastin “Onkologjia 2” në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku të pandehurit në këtë rast janë ish-drejtori mjekësor i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, dhe drejtori ekonomik, Nehad Nuhi, u dëgjuan katër dëshmitarë. E para e cila foli ishte një paciente që kishte marrë kimioterapi dhe imunoterapi, duke përshkruar se e njëjta terapi i ishte dhënë jashtë procedurës standarde dhe pa u regjistruar në regjistër. Sipas saj, Dr. Nino Vasev i tha se ilaçi ishte në mungesë dhe se kishin vetëm tre shishe të mbetura, nga të cilat ai i dha një pa u regjistruar në regjistër, me çka filloi të përhapej dyshimi tek ajo se pse i ishte dhënë pa u regjistruar fare.
“Herën e nëntë që erdha, ne po prisnim në radhë për një ekzaminim. Si gjithmonë, më thirrën në zyrë, Dr. Nino dhe dy infermierë të tjerë ishin atje dhe bazuar në historinë time, Dr. Nino më shpjegoi se aktualisht kishin mungesë ilaçesh. Kishin kursyer tre shishe të tjera dhe se për shkak se isha më e re, ilaçi ishte më efektiv me mua. "Do të të jap një!". Megjithatë, nuk do të regjistrohej në regjistër se e kisha marrë ilaçin, "ja ku është në histori brenda", ai e futi shishen dhe së bashku me infermieret shkuam në klinikën ditore për të më aplikuar ilaçin, sepse jepet çdo ditë.”, - tha një dëshmitare.
Dëshmitare e dytë ishte një motër medicinave, e cila ishte e punësuar në Onkologji. Ajo foli për tentimin e vjedhjes së medikamenteve të shtrenjta.
“Në disa raste ka pasur tentim për vjedhjen e medikamentit, në disa prej këtyre tentimeve kanë rezultuar të jenë të suksesshme. Po ashtu në një rast kam kapur në vendin e ngjarjes se si një kolege e imja merrte medikamente të shtrenjta onkologjike, për çfarë e kam lajmëruar edhe policinë.”, - tha një dëshmitare tjetër.
Ajo po ashtu theksoi se gjatë regjistrimit të terapisë që është kryer para vitit të ri 2021, është konstatuar se mungojnë 90 ampula, për të cilën e kishte lajmëruar edhe drejtorin e Klinikës Vasev. Në të gjitha këto, shpjegim dha edhe pala mbrojtëse e drejtorit Vasev.
“Dëshmitarja e parë ishte paciente dhe gjithçka që foli sot ishte për aspektin e trajtimit mjekësor dhe nuk kishte të bëjë me veprën keqpërdorim të detyrës zyrtare, dëmet, e kështu me radhë. Dëshmia e saj ishte kontradiktore, sepse ajo gjatë gjithë dëshmisë foli fjalë miradije për personelin mjekësor dhe trajtimin e saj, por e dyshimtë sipas saj ishte vetëm momenti kur filloi kampanja të paraqitet në televizione kundër mjekëve, nga 18 terapitë, në një rast procedura nuk është respektuar, që është një dëshmi e çuditshme.”, - theksoi avokati, Bobi Spirovski.
Ish-drejtori mjekësor i Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, Nino Vasev dhe drejtori ekonomik Nehad Nuhi janë të akuzuar. Sipas aktakuzës, në periudhën 2018–2022 ata kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me gati 36 milionë euro. Të dy mohojnë fajësinë dhe pretendojnë se aktakuza është e sajuar politikisht. Përveç "Onkologjia 2", është duke u zhvilluar edhe gjyqi "Onkologjia 1" kundër Vasevit dhe dy mjekëve të tjerë për trajtim neglizhent të pacientëve.
FITIM KRYEZIU
