Maqedoni
VLEN: Qeverisë mund t’i bashkëngjiten edhe subjekte tjera
20.11.2025 16:41
Koalicionin VLEN nuk do të përbënte problem nëse koalicionit qeveritar i bashkëngjiten edhe subjekte tjera

Numri i shumicës parlamentare është stabile, por për koalicionin VLEN nuk do të përbënte problem nëse koalicionit qeveritar i bashkëngjiten edhe subjekte tjera, ka deklaruar Driton Sulejmani nga VLEN. Ai njëherësh ka shprehur shqetësimin e VLEN-it për turbulencat që po ndodhin brenda kampit opozitar shqiptar.
“Të gjithë jemi të njoftuar se ka biseda rreth zgjerimit të Qeverisë. Për momentin numri i Qeverisë ose shumicës është stabil, por nuk do të përbënte ndonjë problem nëse kësaj Qeverie i bashkohen edhe subjekte të tjera politike, mirëpo shumë më rëndësi që subjektet që i bashkohen të jenë të mendimit që bashkërisht të ecim përpara me reformat që i kemi të nevojshme për t’i realizuar, si edhe me parimet e një qeverisjeje të mirë, transparente dhe për të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Koalicioni VLEN shpreh shqetësimin e thellë për turbulencat që po zhvillohen brenda kampit opozitar shqiptar, zhvillime që nuk i shërbejnë as demokracisë, as stabilitetit politik dhe as interesit të qytetarëve. Demokracia ndërtohet mbi debate të hapura, konkurrencë të ndershme dhe mbi një opozitë të fortë. Por, ajo që po shohim ditëve të fundit nuk i ngjan as opozitës, as stabilitetit, por një shpërbërjeje të heshtur dhe një humbje totale të busullës politike. Brenda një periudhe të shkurtër, AKI ka pësuar largime të njëpasnjëshme të figurave kyçe, largimi i Menduh Thaçit, largimi i Arjanit Hoxhës dhe së fundmi largimi i Ziadin Selës, dikur një nga shtyllat kryesore të kampit opozitar.”, - deklaroi Driton Sulejmani nga VLEN.
