Botë
Plan i ri paqeje, delegacioni amerikan në Kiev
20.11.2025 17:02
Driskoll ka mbërritur në Kiev për bisedime me Zelenskin lidhur me përfundimin e luftës.

Një delegacion ushtarak amerikan, i kryesuar nga sekretari Dan Driskoll, ka mbërritur në Kiev për bisedime me Zelenskin lidhur me përfundimin e luftës. Vizita vjen pas raporteve për një plan të ri paqeje me 28 pika mes ShBA-së dhe Rusisë, i cili thuhet se parashikon lëshime territoriale nga Ukraina. Pas bisedimeve me presidentin turk Erdogan në Ankara, Zelenski deklaroi se vetëm Trampi dhe ShBA-ja kanë fuqinë t’i japin fund konfliktit, duke theksuar se deri tani ka mbështetur çdo propozim të tij që ka qenë i vendosur dhe i drejtë. Ai llogarit edhe në diplomacinë turke.
“Shumë procese aktualisht po intensifikohen. Lufta duhet të përfundojë. Rusia duhet të kuptojë se nuk mund të ketë shpërblim për luftë dhe vrasje. Me Turqinë ndajmë qëndrimin se paqja dhe siguria duhet të jenë të garantuara. Garancitë e sigurisë janë shumë të rëndësishme. Do të vazhdojmë me koordinim të ngushtë, duke punuar me të gjithë partnerët tanë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Turqia është e gatshme të bisedojë me Rusinë për propozime që do të përshpejtonin armëpushimin dhe do të hapnin rrugën drejt paqes, prandaj procesi i Stambollit duhet të riaktivizohet, tha Erdogan.
“Turqia është gjithmonë e gatshme të bisedojë me Rusinë për propozime që do të përshpejtonin armëpushimin dhe do të hapnin rrugën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Në këtë kontekst, ne e vlerësojmë përfshirjen e aleatit tonë, ShBA-së, në këtë proces. Do të ishte e dobishme të riaktivizohej procesi i Stambollit. Besojmë se bisedimet në Stamboll janë një pikë kthese e rëndësishme në përpjekjet për një zgjidhje diplomatike.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Flota ruse në hije, por edhe plani i ri i paqes për Ukrainën, janë ndër temat kryesore edhe të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel. Shefja e diplomacisë evropiane, Kallas, mbetet e prerë në qëndrimin se Ukraina dhe Evropa duhet të jenë në tavolinën e negociatave.
“Ne, evropianët, mbështesim paqen e drejtë dhe të qëndrueshme dhe të gjitha përpjekjet për ta arritur atë, por që të ketë sukses, në tryezë duhet të jenë edhe ukrainasit edhe evropianët. Kjo është shumë e qartë. Duhet të kuptoni se në këtë luftë Rusia është agresori dhe deri tani nuk kemi dëgjuar për asnjë lëshim nga ana e tyre. Nëse Rusia me të vërtetë dëshiron paqe, atëherë duhet të pranojë një armëpushim të pakushtëzuar.”, - u shpreh përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas.
Rusia është e hapur për vazhdimin e negociatave për Ukrainën, thonë nga Kremlini, duke theksuar se pauza aktuale në bisedime nuk është faj i Moskës, por i Kievit.
“Moska është e hapur për vazhdimin e negociatave. Ndërprerja që ndodhi është pasojë e mungesës së gatishmërisë së regjimit në Kiev për ta vazhduar këtë dialog.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Ndërkohë, në front nuk ndalen sulmet ruse. Të dyja palët raportojnë për rrëzimin e dronëve, ndërsa ekipet ukrainase gjithë natën vazhduan kërkimet dhe shpëtimet nën rrënoja pas sulmit të mbrëmshëm në Ternopil. Numri i viktimave është rritur në 26, ndërsa pothuajse 100 janë të plagosur.
BELINDA KOKA ADEMI
