Rajon
Presidentja e Kosovës ka shpërndarë Kuvendin, caktoi datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor
20.11.2025 17:17
Osmani ka shpërndarë përbërjen e nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve...

Pas dështimit për krijimin e Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë përbërjen e nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor. Datën e zgjedhjeve, Osmani e caktoi pas konsultimeve me partitë politike dhe KQZ-në.
“Tetë parti janë deklaruar sot për datën 28 dhjetor, 5 parti janë deklaruar për datën 21 dhjetor, kurse tri parti kanë thënë se cila do nga këto data është në rregull. Gjatë kësaj periudhe kam qenë në kontakt me kryetarin e KQZ-së tri herë, rrjedhimisht data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se është data e vetme e mundshme sado që edhe kjo datë paraqet deri diku sfida për KQZ-në.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Caktimin e 28 dhjetorit si datë e mbajtjes së zgjedhjeve e ka mirëpritur kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin.”, thekson Kurti.
Data 21 dhjetor do të ishte më e drejtë, por tanimë vendimi është marrë dhe është koha të shikojmë përpara, ka deklaruar kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
“Edhe pse në konsultimet tona ne i dhamë argumentet tona përse data 21 dhjetor do të ishte më e drejtë, vendimi tashmë është marrë, data është caktuar dhe tani është koha të shikojmë përpara. PDK-ja është e bashkuar, e mobilizuar dhe e gatshme me ekip, me program dhe me vizion.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij është e përgatitur për këto zgjedhje dhe do të garojë si e vetme.
“Aleanca është e përgatitur për këto zgjedhje. Shkojmë të vetëm si aleancë në zgjedhje dhe besojmë shumë që do ta ndihmojmë Kosovën me votën e qytetarëve me besimin e tyre, që të mos i humbim më kohë Kosovës.”, - theksoi Ramush Haradinaj nga AAK.
Fatmir Limaj nga Nisma shprehet i gatshëm për koalicion, thotë se partia e tij është në pritje të ftesave.
“Jam i gatshëm që t’u përgjigjem ftesave, të ulemi të pimë kafe, të dëgjoj ide, projektet e secilit që më fton, ndërsa vendimin se në cilin drejtim shkon Nisma - nëse do të kemi një alternative serioze, e cila siguron dhe jep shpresë për një qeverisje ndryshe - aty do të jetë Nisma Socialdemokrate.”, - u shpreh kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
Përbërja e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e cila tanimë është shpërndarë nga presidentja, brenda nëntë muajsh u përball me vonesa të shumta për konstituimin e Kuvendit. Pas shumë përpjekjesh dhe parashtresash në Gjykatën Kushtetuese, u arrit të zgjidhet kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, por jo edhe Qeveria e re, pasi fillimisht mandatari Albin Kurti, e më pas edhe Glauk Konjufca nuk arritën të sigurojnë 61 vota të deputetëve, duke e çuar kështu vendin në zgjedhje të parakohshme. Para shpërndarjes së Kuvendit, presidentja ftoi partitë politike që t’i krijojnë komisionet kuvendore dhe ta miratojnë propozim-buxhetin për vitin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por partitë politike nuk patën gatishmëri për një gjë të tillë.
BELINDA KOKA ADEMI
