Botë

Afganistan, sulm në një hotel në qendër të Kabulit

27.05.2015 13:59

Hoteli “Hetal”, i ndodhur në qendër të kryeqytetit të Afganistanit, Kabulit, është sulmuar në orët e vona të së martës...

Raportohet se janë dëgjuar rreth 15 shpërthime të fuqishme në lagjen “Vazir Akbar Khan”, ku janë të vendosura disa ambasada dhe ndërtesa qeveritare.
 
Mediat ndërkombëtare raportojnë se të shtëna dhe shpërthime vazhduan të dëgjohen edhe pas më shumë se dy orëve nga nisja e sulmit. 
 
“Kishte shkëmbim zjarri të fuqishëm mes forcave afgane dhe shpërthime të fuqishme sikur gjuanin me raketahedhës. Nuk vumë gjumë në sy gjithë natën”- deklaroi dëshmitar okular, Haji Abdul Vali.
 
Ministria e Brendshme e Afganistanit thotë se objektivi i autorëve ishte hoteli, i cili frekuentohet kryesisht nga persona të huaj dhe që ka qenë shënjestër e talebanëve që prej 2009-ës.
 
Javët e fundit, sulmet e talebanëve ndaj shtetasve të huaj në Afganistan janë shtuar ndjeshëm.
 
Vetëm dy javë më parë, të paktën 14 persona u vranë para fillimit të një koncerti në Kabul.
 
Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, megjithëse autoritetet vendase shprehen se ai është kryer nga talebanët.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU