Maqedoni

Vlladimir Peshevski: angazhohemi për furnizim të sigurt me energji

27.05.2015 14:24

Qeveria është e angazhuar për të siguruar furnizim të sigurt dhe kualitativ me të gjitha llojet e energjisë dhe energjensëve...

Këtë e theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski, në seminarin "Çështje për tranzicionin energjetik dhe pasojat e tij në Maqedoni", që u organizua në Shkup, nga ambasadat e Gjermanisë dhe të Francës në Maqedoni.
 
Peshevski theksoi se siguria energjetike nënkupton plotësimin e rregullt të nevojave të konsumit të energjisë në kushte të qëndrueshme dhe ekologjikisht të pranueshme dhe çmime të cilat nuk e ulin zhvillimin ekonomik dhe nuk e rrezikojnë standardin jetësor të qytetarëve. 
 
“Do të realizohen aktivitete për modernizimin e infrastrukturës ekzistuese, por edhe ndërtimin e objekteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike. Në këtë drejtim pritet të zvogëlohet varshmëria e vendit nga importi i energjisë dhe energjensëve. Në pjesën e tregut të brendshëm të energjisë elektrike dhe gazit natyror pritet të vërtetohen hapat për liberalizimin e këtij tregu. Në periudhën e ardhshme pritet edhe implementimi i pakos së tretë të ligjeve evropiane për tregun e brendshëm të energjisë, me ç’rast do të sigurohet pavarësi më e madhe e operatorëve të sistemeve bartëse, do të përforcohet roli i Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe do të aplikohen masa konkrete për konsumatorët e kategorive të ndjeshme dhe përkrahja e tyre”- tha Vlladimir Peshevski.
 
Ai, njëherit paralajmëroi se këtë vit do të sillet strategjia e re për zhvillimin e energjetikës deri në vitin 2035, me të cilën do të përcaktohen qëllimet për zhvillim afatgjatë, ndërsa vitin e ardhshëm programi për realizimin e saj. 
 
GYLTENE SINANI