Maqedoni
Komuna e Kërçovës shënon Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
21.11.2025 14:14
Jovanovski tha se 22 Nëntori është një datë e rëndësishme e popullit shqiptar...

Sot jemi mbledhur për të nderuar një nga gurët më të çmuar të historisë së kulturës tonë, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, tha në fillim të fjalës së saj, këshilltarja e kuvendit komunal të Kërçovës, Teuta Purellku Ahmedi, në manifestimin e organizuar për Ditën e Alfabetit Shqip, nga Komuna e Kërçovës.
Pasi i përshëndeti të pranishmit, kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, tha se 22 Nëntori është një datë e rëndësishme e popullit shqiptar, prandaj uroj që kjo festë të vazhdojë traditën e organizimit edhe në të ardhmen.
“Është kënaqësi e veçantë që mua më takoi ky nder që sot të organizohet ky solemnitet dhe shpresoj se ky shënim do të ngrihet në organizim tradicional për avancimin e arsimit dhe kulturës së popullit shqiptar.”, tha ndër të tjera kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.
Ai me këtë rast u ndau mirënjohje të gjitha shkollave me mësim në gjuhën shqipe të Kërçovës.
Për nder të kësaj feste, nesër në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, do të mbahet manifestimi i shkollave të këtushme me mësim në gjuhën shqipe, kushtuar 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
SHABAN DALIPI
