Në Burgun e Idrizovës, kënd i ri për fëmijët e të burgosurve

21.11.2025 14:35

Prej sot vizitat mes fëmijëve të mitur dhe prindërve të tyre...

Prej sot vizitat mes fëmijëve të mitur dhe prindërve të tyre, të cilët vuajnë dënimin në Burgun e Idrizovës, do të jenë më ndryshe, në kushte, hapësira më të mira dhe më të përshtatura për t’u takuar.

Administrata për Zbatimin e Sanksioneve me ndihmën e Këshillit të Evropës hapën këndin e ri të fëmijëve në këtë burg, për t’ua lehtësuar dhe përshtatur vizitat e tyre në këtë burg.

Ky është hap i vogël, por i rëndësishëm për ta vlerësuar, thanë përfaqësuesit e BE-së në Shkup.

“Ky kënd i ri i fëmijëve ndoshta është pak i vogël, mirëpo paraqet një pjesë të  rëndësishme të përpjekjeve të nevojshme për të adresuar kushtet e këqija të burgjeve dhe kjo duhet të shkojë krah për krah me përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar alternativat dhe për të zbatuar rekomandimet e institucioneve kombëtare.”, - deklaroi shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Ben Nupnau.

“Një pjesë e fëmijëve, të cilëve ndonjëri prej prindërve të tyre vuan dënimet nëpër burgje, po ballafaqohen me vështirësi emocionale gjatë vizitave të tyre në burgjet e vendit. Andaj ky hap i vogël, por i rëndësishëm shpresojmë se do t’ua lehtësojë vizitat e tyre.”, - theksoi udhëheqësi i Departamentit të KE-së, Donçe Boshkovski.

Andaj në këtë drejtim është më së e nevojshme mbështetja psikologjike jo vetëm për  të dënuarit, por edhe për fëmijët e tyre, për të tejkaluar sa më lehtë situatën e tyre familjare, apelojnë  nga Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”.

“Çdo paraqitje e të dënuarve, që kanë mundësi për risocializim dhe kanë mundësi  të jenë me më të afërmit e tyre, u ndihmon jo vetëm të burgosurve, por edhe fëmijëve të tyre për ta  tejkaluar sa më lehtë traumën me të cilën ata familjarisht po ballafaqohen.”, - u shpreh drejtori i Ambasadës së parë “Megjashi”, Dragi Zmijanac.

Në ndërkohë autoritetet po shpresojnë se vitin e ardhshëm do të përfundojë edhe rinovimi i disa pjesëve të Burgut të Idrizovës, ku parashihen të burgosurit të kenë kushte më të mira për vuajtjen e dënimeve, kuzhinë, ambulancë dhe kujdes më të madh  mjekësor për ta.

“Unë jam i bindur se vitin e ardhshëm gjatë ditëve me diell së bashku me Qeverinë dhe me ndihmën e Këshillit të Evropës përsëri do të takohemi këtu dhe do ta promovojmë edhe fazën e  dytë të investimeve këtu, ku parashihet rinovim i disa pjesëve të burgut, do të kemi kuzhinë dhe ambulancë të re dhe pjesë të re të paraburgimit me 420 shtretër.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Panov.

Në Burgun e Idrizovës për momentin vuajnë dënimin 1.280 persona, 85 prej të cilëve janë gra. 

Deri më tani në këtë burg nuk është e evidentuar asnjë e burgosur, e cila ka fëmijë të sapolindur, ndërsa ligji parasheh në raste të tilla ajo ta ketë pranë vete fëmijën e sapolindur deri në moshën 1 vjeç.

Ky kënd i fëmijëve është i katërti me radhë që është hapur në vend. Të tillë ka edhe në burgun e Shtipit, në Prilep dhe Kumanovë. (Rexhep Qamili, TVM2)