Maqedoni
Aliu: Mungesë mjekësh në profile të ndryshme
21.11.2025 14:47
Aliu informoi se MSh filloi me analizimin e të dhënave të situatës momentale të burimeve njerëzore në institucionet publike dhe private shëndetësore...

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, informoi se Ministria e Shëndetësisë filloi me analizimin e të dhënave të situatës momentale të burimeve njerëzore në institucionet publike dhe private shëndetësore në mbarë vendin. Bëhet fjalë për fillimin e vendosjes së regjistrit të punëtorëve në fushën e shëndetësisë dhe se do të mund ta ndjekin lëvizjen e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor, nga pensionimi, punësime të reja, specializime, deri te transferimi nga njëri institucion në tjetrin.
“Nga 2.942 institucione shëndetësore 2.830 janë private (IShP), ndërsa 112 janë institucione publike – nga të cilat 108 janë institucione shëndetësore publike (IShP) dhe 4 institucione të cilat japin shërbime shëndetësore publike, siç janë Qendra Ushtarake Mjekësore, AShAM, Universiteti Shën “Kirili dhe Metodi” – Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Farmacisë - Shkup. Numri i të punësuarve në sektorin publik dhe privat arrin 32.383, nga të cilët 18.536 janë në IShP, ndërsa 13.847 në IPSh. Nga 13.847 të punësuar, 9.040 janë mjekë dhe anëtarë të ekipit në shëndetësinë primare, ndërsa të tjerët 4.807 të punësuar në institucionet shëndetësore publike (të gjithë të punësuar në sektorin e shëndetësisë).”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Punësimet e ardhshme, sipas të dhënave të sakta
Ministri Aliu theksoi se reforma e kujdesit shëndetësor nuk mund të realizohet pa një vizion të qartë dhe të informuar. Sipas tij, është e pamundur të planifikosh shërbime si kujdestari, lista pritjeje, specializime dhe ekipe ndërhyrjeje, pa pasur një pasqyrë të saktë mbi numrin e punonjësve, vendndodhjen e tyre dhe ekspertizën që ata kanë.
“Kujdesi shëndetësor nuk mund të reformohet “verbërisht”, është e pamundur të planifikosh kujdestari, lista pritjeje, specializime, ekipe ndërhyrjeje dhe shërbime shëndetësore afër shtëpisë së çdo qytetari, nëse nuk e di saktësisht se sa njerëz punojnë në sistem, ku punojnë dhe me çfarë ekspertize.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Sipas tij, ky është fillimi i vendosjes së regjistrit të të punësuarve në fushën e shëndetësisë, ku të dhënat do të mund t’i shikojnë në kohë reale dhe të krijojnë politika shëndetësore të bazuara në të dhënat e përditësuara dhe të sakta në kohë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
