Maqedoni

Rivotimi në katër komunat, grumbullimi i nënshkrimeve deri më 30 nëntor

21.11.2025 15:02

Në katër komunat ku do të zhvillohet rivotimi ka filluar procedura e grumbullimit të nënshkrimeve...

Në katër komunat ku do të zhvillohet rivotimi, Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, ka filluar procedura e grumbullimit të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur për kryetar komune. 
 
“Grumbullimi i nënshkrimeve do të bëhet në zyrat e KShZ-së dhe në noter, çdo ditë nga ora 08:30 deri në ora 16:30. Afati i grumbullimit të nënshkrimeve për kandidat për kryetar të komunave do të përfundojë më 30 nëntor në mesnatë.”, njoftojnë nga KShZ.
 
Nga KShZ bëjnë me dije se zyra e tyre në Gostivar është kompetente për grumbullimin e nënshkrimeve në komunat Gostivar, Mavrovë - Rostushë dhe Vrapçisht. Zyra e KShZ-së në Dibër është e autorizuar  për Komunën e Qendër Zhupës.
 
Ripërsëritja e zgjedhjeve në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë – Rostushë dhe Qendër Zhupë mbahen për shkak të mungesës së censusit në rrethin e parë të zgjedhjeve të 19 tetorit. 
 
Në Gostivar, pjesëmarrja e votuesve ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18 %, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 %, ndërsa në Qendër Zhupë 21.49 %. Ndërkaq censusi i nevojshëm që lokalet të konsiderohen si të suksesshme është 33.33% apo një e treta e votuesve të regjistruar në komunë. Për pasojë në këto komuna nuk u zgjodhën kryetarë. Ripërsëritja e zgjedhjeve me dekret të kryeparlamentarit Afrim Gashi, bazuar në ligj, do të mbahen më 11 janar të vitit 2026.
 
MERAL ISMAILI