Rajon

Rama: Ballkani Perëndimor nuk po lutet të hyjë në BE

21.11.2025 15:11

Rama i priti në Pallatin e Brigadave liderët e vendeve të rajonit dhe delegacionin e KE-së në Samitin “Plani i rritjes, rruga jonë drejt BE-së”...

Edi Rama i priti në Pallatin e Brigadave liderët e vendeve të rajonit dhe delegacionin e Komisionit Evropian në Samitin “Plani i rritjes, rruga jonë drejt BE-së”. Në fjalën hapëse, kryeministri Rama nuk e fshehu kënaqësinë që rajoni po përparon ndjeshëm drejt BE-së, duke treguar të kundërtën e stigmës se Ballkani është i paqëndrueshëm.
 
“Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere dhe kjo është diçka që mund të ndihet. Askush nuk po kërkon nder. Gjithkush vjen me krenarinë për të ofruar vlerë dhe për të ofruar mund e djersë. Ne nuk po lutemi për të hyrë në BE, nuk po kërkojmë lëmoshë. Po provojmë çdo ditë se jemi gjithmonë e më gati.. Për vite të tëra jemi quajtur të paqëndrueshëm, të paparashikueshëm, shumë të ndërlikuar, por faktet sot tregojnë të kundërtën. Po vërtetojmë me reforma dhe investime që Ballkani Perëndimor nuk është pika e dobët e Evropës, por mundësia e Evropës, një treg i ri, një krahë pune i kualifikuar.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Kos: 2 vende nga Ballkani Perëndimor ende nuk i kanë miratuar reformat
 
Edhe pse dy vite nga Plani i Rritjes, që i vendos në dispozicion rajonit 6 miliardë euro, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë bërë më të mirën në përmbushjen e reformave dhe përthithjen e fondeve. Kos u kujtoi liderëve se në qershor 2026, rrezikohen 300 milionë euro fonde të destinuara për rajonin.
 
“Kemi ardhur këtu për të bërë vlerësim të ecurisë, për të parë se çfarë ka ecur mirë me Planin e  Rritjes, kemi mbushur 2 vjet që nga fillimi i zbatimit të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Dy nga 6 vendet e rajonit ende nuk kanë vazhduar të miratojnë reformat. Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 50% të reformave të dakorduara. Sa u përket fondeve, jemi ende nën 10% të shumës totale, totalja, 400 milionë euro nga një paketë prej 6 miliardë euro që janë lënë mënjanë për rajonin, ne mund të bëjmë më shumë dhe duhet të bëjmë më shumë. KE dëshiron që Plani i Rritjes të jetë i suksesshëm.”, - theksoi komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos.
 
Samiti kishte në fokus formimin e nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin dhe përmbushja e angazhimeve të përbashkëta. Takimi u mbyll me foton familjare dhe garancinë e Marta Kos në konferencën për shtyp se rajoni është më shumë se kurrë në sytë e Brukselit.
 
LULJETA NDOKA