Bruksel, diskutime për të qeverisur Gazën, autoriteti palestinez kërkon më shumë kompetenca
Zyrtarët evropianë dhe amerikanë...

Zyrtarët evropianë dhe amerikanë janë duke shqyrtuar skenarë të ndryshëm për menaxhimin e Rripit të Gazës së pasluftës, ndërsa tensionet mbi autoritetin legjitim të qeverisjes mbeten të larta.
Gjatë bisedimeve në Bruksel për rindërtimin dhe administrimin e Gazës, kryeministri i Autoritetit Palestinez përsëriti kërkesën për kompetenca më të mëdha administrative në Gazën pas luftës. Takimet, të cilat vijnë në një moment kritik për të ardhmen politike të territoreve palestineze, synojnë të përcaktojnë rolin e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë në procesin e stabilizimit.
“Ka qenë gjithmonë e qartë se Gaza dhe Bregu Perëndimor janë një njësi politike dhe gjeografike, pjesë të pandashme të shtetit të Palestinës. Ribashkimi i tyre nën një qeveri legjitime, një ligj dhe një administratë të vetme nuk është një slogan. Është e vetmja rrugë funksionale drejt stabilitetit, qeverisjes së përgjegjshme dhe përpjekjeve të besueshme për rindërtim. Të drejtat e popullit palestinez, përfshirë të drejtën për vetëvendosje dhe shtetësi, mbeten themeli i paqes.”, - deklaroi kryeministri i Autoritetit Palestinez, Mohamed Mustafa.
Uashingtoni kërkon që fillimisht të zbatohen reformat, ndërsa Izraeli kundërshton çdo rol të Autoritetit Palestinez në enklavë. Ndërsa BE-ja shpreson që Autoriteti Palestinez të qeverisë në mënyrë efektive Gazën në të ardhmen.
“Mbështetja jonë financiare lidhet me agjendën reformuese të Autoritetit Palestinez, të cilën, sigurisht, ata janë zotuar ta zbatojnë. Ne i shohim këto reforma si parakusht për një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete, që është edhe objektivi ynë përfundimtar.”, - theksoi komisionarja e BE-së për Mesdheun, Dubravka Shuica.
BE-ja ka një prani të kufizuar diplomatike dhe ushtarake në qendrën civile-ushtarake të komanduar nga ShBA-ja në jug të Izraelit, që mbikëqyr planet e paqes.
Blloku kërkon gjithashtu të bëhet pjesë e “Këshillit për Paqen”, i cili ende nuk është formuar. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
