Rajon

Kurti në Samitin për Planin e Rritjes ankohet për mos heqjen e masave ndaj Kosovës

21.11.2025 15:51

Kurti po merr pjesë në Samitin për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE-së”...

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Samitin për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE-së”, që po mbahet në Tiranë. Ai është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka ironizuar me gazetarët rreth pyetjes për raportet e tij me Kurtin. 
 
“Ah, sa i madh. Ju e keni ndryshe, e keni si ajo telenovela “Vitrinat”, 1 mijë episode. A e do, a se do!? A të do, a s’të do!? O Zot! Po të ketë përgjigje nuk do të vazhdojë telenovela a e do a nuk e do.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në fjalimin e tij gjatë punimeve të Samitit të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, Kurti mes tjerash ka theksuar se masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës së Kosovës i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.
 
“Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-përfaqësuesi i Lartë dhe ish-zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell.”.
 
Kurti njëherësh theksoi se asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova aktualisht.
 
“Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks”.
 
Kurti është ndalur edhe te zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat tanimë janë shpallur për 28 dhjetor të këtij viti.
 
“Tani po shkojmë drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti, të cilat, siç kanë treguar dy të mëparshmet, do të jenë të lira, të ndershme dhe konkurruese, duke treguar qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe fuqinë e institucioneve tona. Jam i bindur se këto zgjedhje do të rezultojnë në një qeveri të re, që do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes.”.
 
Kurti njëherësh ka theksuar se do ta mirëpriste nëse samiti i ardhshëm zhvillohet në Prishtinë.
 
GYLTENE SINANI